Telegrafi

Kishte kritikuar autoritet ruse për rrëzimin e aeroplanit, gazetari vdes në aksident misterioz në Moskë – kamerat filmuan gjithçka (Video)

Një nga gazetarët rusë më të zhurmshëm ndaj autoriteteve të vendit ka vdekur në rrethana misterioze derisa po voziste motoçikletën, dhe e gjitha ndodhi pas sulmeve që ua ka bërë autoriteteve të vendit një ditë pas rrëzimit të aeroplanit në Moskë, ku humbën jetën dhjetëra pasagjerë.

Sergey Dorenko, 59-vjeç, ishte kryeredaktor në radio stacionin Govorit Moskva, dhe shihet në videon e publikuar më poshtë që është filmuar nga kamerat e sigurisë, se si rrëzohet nga motoçikleta edhe pse nuk goditet nga kurrfarë veture, transmeton Telegrafi.

Ai ishte shpallur i vdekur në vendin e ngjarjes, derisa menjëherë filloi të raportohet se kinse ka pësuar “sulm në zemër” dhe ka vdekur në shkaqet “natyrale”, edhe pse nuk është kryer kurrfarë obduksioni. Dorenko ishte i njohur si kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin, mbi pretendimet se shumë vdekje që kanë ndodhur, autoritetet e vendit janë munduar t’i mbulojnë.

E rasti më i fundit ishte ai i aeroplanit të përfshirë nga zjarri në Moskë, ku humbën jetën 41 persona. Në vitin 2000 ishte shkarkuar nga pozita që e kishte pasur më herët, për shkak të kritikave të ashpra që i kishte bërë në llogari të Putinit, mbi pretendimet se po gënjente për tragjedinë e nëndetëses Kursk ku humbën jetën 118 anëtarë të ekuipazhit. /Telegrafi/