Site icon Telegrafi

A kishin të drejtë? Si duhet të dukej logoja e famshme e Porsche

Në fillim të viteve gjashtëdhjeta, marka e famshme gjermane e veturave sportive pothuajse mori një logo të re.

Një nga logot më të njohura të veturave, ose më saktë emblemat, është sigurisht ajo e markës Porsche. Kali i zi në sfond të artë është logoja e markës së veturës që nga viti 1952, por ndërkohë ka pasur përpjekje për ta “freskuar” me zgjidhje më moderne.

Kur shikon propozimet për stemën e re dhe ato që mbahen ende në arkivat e kompanisë, mund të themi vetëm se është mirë që Porsche i qëndroi besnike origjinalit dhe vetëm e përmirësoi atë më tej me kalimin e viteve.

Përkatësisht, emblema aktuale e Porsche-s hasi shumë kritika në vitet 1960, dhe shitësit u ankuan më së shumti. Arsyeja sot tingëllon banale, por në atë kohë “printimi” me ngjyra ishte jashtëzakonisht i shtrenjtë dhe logoja doli shumë komplekse për t’u printuar.

 

Për më tepër, në vitin 1961, shefi i marketingut në atë kohë, Hermann Lapper, mori një opinion nga menaxheri i shitjeve, i cili shkurtimisht thoshte, “ngjyrat e ndryshme dhe shumë detaje në përgjithësi nuk japin një efekt vizual kompakt dhe koherent në trafikun rrugor”.

Mercedes dhe Volkswagen u cituan si shembuj të dizajnit të mirë, ndërsa Porsche u konsiderua i vjetëruar.

U ideuan zgjidhje të reja dhe tani publiku mund t’i shohë, një nga ato logo pothuajse “dekoroi” pasardhësin e Porsche 356, modelin 911.

Në fund u vendos që të ruhej logoja e vjetër. Arsyeja e saktë nuk dihet, por në fund vendimi rezultoi i duhuri.

Sot, logoja e Porsche është një nga më të njohurat në botën e veturave dhe më gjerë. /Telegrafi/

Exit mobile version