Site icon Telegrafi

“Kisha dy opsione”, Bernardo Silva flet për penalltinë e humbur ndaj Real Madridit

Real Madridi siguroi një vend në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve të mërkurën, pasi mposhtën Manchester Cityn në një mbrëmje dramatike.

Ndeshja e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë 1-1 (4-4 rezultati i përgjithshëm), dhe pas 120 minutave lojë, u deshën penalltitë për të vendosur fituesin, aty ku ‘Los Blancos’ u treguan më gjakftohtë duke fituar me shifrat 4-3.

Real Madridi u desh që të përmbysë Cityn në ekzekutimin e penalltive, pasi Luka Modric humbi penalltinë e parë.

Bernardo Silva ishte ai që goditi për vendasit pas veteranit kroat, dhe tentimi i tij për të shënuar në mesin e portës u ndal me sukses nga Andriy Lunin i cili qëndroi pa lëvizur në mes të portës.

Bernardo u kritikua për mënyrën se si e goditi penalltinë, dhe ai tani shkurtimisht e ka diskutuar atë rast pas fitores ndaj Chelseat në gjysmëfinale të FA Cup.

“Kisha dy opsione: ose të gjuaja anash ose të gjuaja në mes. Unë po prisja (Lunin) ai lëvizi herët, kështu që mendova se në mes do të ishte më mirë. Në momente presioni, portierët lëvizin në 99 për qind të rasteve”, ka thënë Silva.

Pasi priti penalltinë e portugezit, Lunin e ndali edhe gjuajtjen e Mateo Kovacicit po ashtu, duke i mundësuar Real Madridit kalimin në top katërshen më të mirë të Ligës së Kampionëve./Telegrafi/

Exit mobile version