Kinezët dëshirojnë t’i blejnë të gjitha aksionet e Milanit.
Lajmi publikohet nga mediat italiane sipas të cilave klubi kuqezi shumë shpejtë pritet të ketë pronarë të rinj.
Fillimisht manjatët aziatikë ishin të orientuar për të blerë 70% të aksioneve, më pas kërkesat e tyre u rritën në 80% dhe tashmë kinezët kërkojnë të jenë padronët e vetëm të Milanit.
Grupi kinez kërkon të nxitojë për të mbyllur sa më shpejtë marrëveshjen me kompaninë Fininvest që ka në pronësi aktualisht klubin kuqezi dhe sipas të gjitha gjasave firmat mbi kontratë për shitjen e aksioneve të Milanit do të hidhen në fund të këtij muaji.
Grupi me qendër në Pekin ka një projekt serioz dhe kërkon ta rikthejë Milanin në majat e futbollit italian dhe atij evropian në harkuan e 3 apo 4 viteve dhe për këtë arsye dëshiron të blejë të gjitha aksionet e klubit kuqezi.
Nëse marrëveshja nuk mbyllet përpara fundit të muajit korrik vështirë se Milani do të zhvillojë një afat kalimtar të fuqishëm gjatë kësaj vere duke ditur vështirësitë financiare që po has aktualisht.
Për momentin administratori i deleguar Adriano Galliani ka afruar në skuadër vetëm sulmuesin Gianluca Lapadula.