Qeveria gjermane ka konfirmuar përpjekjet kineze për të ushtruar ndikim tek funksionarët gjermanë. Ata duhej të bënin deklarata pozitive në publik për Kinën.
Fillimisht kishte raportuar mbi këtë çështje gazeta gjermane “Welt am Sonntag”. Pas një kërkese të deputetes së gjelbër gjermane, Margarete Brause qeveria gjermane kishte konfirmuar në përgjigjen e saj, se diplomatë kinezë kishin marrë kontakt me zyrtarë federalë gjermanë, dhe është bërë fjalë që Berlini të bëjë vlerësime pozitive publikisht mbi Republikën Popullore për menaxhimin e krizës së virusit Corona. Por nëpunësit gjermanë “nuk i janë përgjigjur” kësaj kërkese, shkruan Ministria e Punëve të Brendshme për deputeten Margarete Bause. Qeveria gjermane i ka vlerësuar përpjekjet e Kinës për zbutjen e pandemisë edhe pa lutjet e Pekinit.
Transparenca e rëndësishme
Sipas qëndrimit të Berlinit, transparenca është mjaft e rëndësishme për luftimin e suksesshëm të pandemisë. Kjo i është “bërë e qartë” edhe Kinës, thuhet në përgjigjen dhënë deputetes gjermane. Përveç kësaj synohet të rritet sensibiliteti për ndikime nga jashtë.
Ambasada kineze në Berlin i ka hedhur poshtë raportimet, sipas të cilave, Kina është përpjekur të ushtrojë ndikim ndaj zyrtarëve gjermanë. Margarete Bause, zëdhënësja e Të Gjelbërve për të drejtat e njeriut e kritikon përgjigjen e Ministrisë Federale të Punëve të Brendshme. Kjo letër tregon edhe “njëherë më shumë, se qeveria gjermane nuk ngre zërin kundrejt Kinës”, ka thënë ajo për “Welt am Sonntag”. Megjithëse Shërbimi i Jashtëm i BE e rendit Kinën ndër vendet “me fushata dezinformimi dhe teori konspirative në drejtim të Coronës”.
Sipas informacioneve të Reuters, Republika Popullore e Kinës përpiqej që të ndalë edhe një raport kritik të BE për këtë vend. Dokumenti u publikua në fundjavë, por megjithatë i ndryshuar. Si shtetet e BE ashtu edhe ato të G7-s kanë trajtuar temën e dezinformimit në krizën e Coronës dhe kanë kritikuar Kinën dhe Rusinë. Tanimë në raportin e BE bëhet në radhë të parë përgjegjëse Rusia për fushata dezinformimi dhe “në një masë më të vogël”, Kina. /DW/