Kolapsi i tregjeve kineze të aksioneve ka shkaktuar një valë të gjerë në mbarë globin. Bursa e Shangait e mbylli sesionin e sotëm në një rënie prej 8.5%, duke shënuar performancën më të dobët ditore që prej vitit 2007.
Ky është një moment vendimtar për Kinën, pasi tregu i aksioneve është në rënie të lirë, sektori bankar po vuan mungesën e theksuar të likuiditetit, paratë po fluturojnë jashtë vendit, dhe ekonomia po ngadalësohet me ritme të frikshme. Shangai është reflektuar kështu në të gjitha kontinentet, duke filluar që prej fqinjëve japonezë. Bursa e Tokyos regjistron një rënie në 4.6%.
Frankfurti, Londra dhe Parisi u çelën respektivisht në një rënie prej 3.4, 2.5 dhe 3.07%. Bursa e Milanos ndërkohë duket se po jep performancën më negative të kontinentit të vjetër, me një rënie prej 4.1%. Kolapsi i tregjeve kineze ka pasur impakt domethënës edhe në tregun e këmbimit valutor.
Monedha e përbashkët europiane ka prekur kështu nivelin më të lartë që prej muajit Janar kundrejt dollarit amerikan. Euro, tashmë këmbehet me 1.15 dollarë. Nga ana tjetër, edhe bursat amerikane pritet të çelin sesionet në një situatë kaotike. Me shumë gjasa, humbjet e së premtes do të thellohen edhe më shumë gjatë sesionit të ditës së hënë. /Telegrafi/