Që nga viti 2017 Kina ka ngritur 380 kampe të reja internimi për anëtarët e pakicave myslimane. Kina flet për “qendra arsimore”.
Të paktën 14 objekte janë ende në ndërtim e sipër, sipas hulumtimit të Australian Strategic Policy Institute (ASPI). Ekspertët e ASPI-t kanë identifikuar dhe kartografuar në bazë të pamjeve satelitore, tenderëve të ndërtimit dhe raporteve të dëshmitarëve më shumë se 380 vendndodhje të reja në rajonin Xinjiang. ASPI ka numëruar vetëm kampet e riedukimit, qendrat e paraburgimit dhe burgjet që janë ndërtuar rishtas ose janë zgjeruar ndjeshëm që nga viti 2017. Gjetjet janë në kundërshtim me deklaratat e bëra nga udhëheqja kineze se e po e zbut fushatën e internimeve masive në rajon.
Sipas vlerësimeve nga aktivistët e të drejtave të njeriut në Xinjiang janë burgosur rreth një milion anëtarë të pakicave myslimane. Qeveria në Pekin i akuzon ujgurët për separatizëm dhe terrorizëm.
Në Kinë jetojnë dhjetë milion ujgurë
Kritikët flasin për kampe riedukimi, në të cilat qeveria përpiqet t’u përçojë ujgurëve vijën e partisë komuniste me mjete pjesërisht brutale. Pekini gjithmonë e mohon ekzistencën e kampeve të paraburgimit në Xinjiang. Qeveria kineze thotë se këto janë “qendra arsimore” që i shërbejnë luftës kundër radikalizimit islamik. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Vang Venbin e quajti institutin australian ASPI “pararojë të forcave anti-kineze” duke theksuar se besueshmëria e tij akademike është “jashtëzakonisht e diskutueshme”.
Në Kinë jetojnë rreth dhjetë milion Ujgurë, shumica e tyre në Xinjiang. Ata janë të lidhur etnikisht me turqit dhe ndihen të shtypur ekonomikisht, politikisht dhe nga pikëpamja kulturore prej kinezëve të grupit etnik han, që janë në pushtet. Pasi erdhën në pushtet komunistët kinezë e aneksuan territorin e ish-Turkistanit Lindor në vitin 1949. /DW/