Site icon Telegrafi

Kina dhe profecia e tejkaluar oruelliane

Liao Yiwu

Nga: Monica Ricci Sargentini / Corriere della Sera

“Kur u burgosa në Kinë, sepse doja të kujtoja masakrën e Sheshit Tiananmen, preka Ferrin në Tokë dhe tentova dy herë vetëvrasjen. Por, pastaj e kuptova se isha dëshmitar i historisë, ndaj nisa të mbledh historitë personale të të burgosurve që ishin me mua në burg”.

Liao Yiwu mban në dorë një copë letër me shkronja kineze, të cilat janë aq të vogla sa thuajse të palexueshme. “Për të shkruar përdorja letër higjienike, dhe nuk kisha shumë”, shpjegon ai.

Shkrimtari kinez, që jeton në Berlin të Gjermanisë që prej vitit 2011, është një halë në sy për Republikën Popullore të Xi Jinpingut për shkak të librave të tij që denoncojnë krimet e regjimit komunist, dhe për të cilët ai ka fituar çmime të shumta letrare.

I liruar nga burgu në vitin 1994, u nda nga bashkëshortja dhe vajza për të shpëtuar nga persekutimi. Jetoi si i pastrehë duke u sjell vërdallë nëpër rrugët e vendlindjes së tij Çengdu në Siçuanit, ku nisi të mblidhte histori disidentësh. Por, policia e vëzhgonte.

“M’i sekuestruan dorëshkrimet, ndaj u detyrova t’ia filloja nga e para. Më është dashur ta rishkruaj tri herë librin, në të cilin tregoj tmerret që kam përjetuar në burg. Ata nuk donin që ai të botohej. Pastaj erdhën kompjuterët dhe unë i ruajta gjërat” –  tregon ai teksa pi një gotë birrë, si për t’i larguar nga vetja ato kujtime të hidhura.

Yiwu i kritikon shkrimtarët e tjerë kinezë, si për shembull fituesin e Çmimit Nobel në Letërsi, Mo Yan, se janë oportunistë. “Kjo është arsyeja se pse ata nuk kanë përfunduar asnjëherë në burg. Vetëm kur dikush vuan atë që kam përjetuar unë, e kupton se ata duan realisht të të asgjësojnë dhe të fshijnë nga faqja e dheut. Dhe, prandaj ti detyrohesh të luftosh”, thekson ai.

Gjatë pandemisë Liao ka shkruar një roman dokumentar më titullin “Vuhan”, në të cilin ai akuzon Pekinin se ka shkaktuar me vetëdije miliona të vdekur. “Pse tregtia dhe fluturimet ndërkombëtare për dhe nga Kina u lanë të hapura kur Vuhani hyri në bllokim, duke lejuar kështu që virusi të udhëtonte nëpër botë duke shkaktuar shumë vdekje?”, pyet me të drejtë shkrimtari disident. Dhe, ai akuzon: “Për Pekinin, koronavirusi ishte një mundësi e artë për të vënë në praktikë formën më imponuese, më të përhapur, dhe teknologjikisht më të avancuar të kontrollit mbi çdo aspekt të jetës së popullatës. Xi e tejkaloi edhe fantazinë e George Orwellit të veprës së tij 1984”.

Rezultati është një vend në të cilin qytetarët nuk mund të mendojnë më: ”Kinezët nuk janë më njerëz, por makineri. Ata kanë më pak të drejta se një qen. Sepse, qeni mund të lehë, ndërsa njerëzit nëse bërtasin, përfundojnë në qeli”.

Kur në vitin 2022 shpërtheu protesta e “letrave të bardha” kundër bllokimeve të pafundme të koronavirusit, kur njerëzit në rrugë bërtisnin “Poshtë Partia Komuniste! Xi Jinping jep dorëheqjen!” qeveria nuk i dërgoi tanket, por vendosi të heq papritur të gjitha kufizimet për të frenuar pandeminë.

“Pa vaksina dhe ilaçe, njerëzit që sapo kishin shpëtuar nga bllokimet dhe virusi i Vuhanit, u lanë të lirë, u gjendën në mëshira e ‘Hapit të Madh Përpara’ të infeksionit të koronavirusit. Numri i njerëzve që u prekën nga koronavirusi u rrit në qindra mijëra, miliona, dhjetëra miliona, qindra miliona dhe brenda një muaji e gjysmë e tejkaloi numrin e të personave të infektuar në mbarë botën në tri vite rresht. Të vdekurit janë kaq të shumtë në numër, saqë askush nuk di ku t’i varrosë”, thotë disidenti.

E pyes nëse ëndërron të kthehet një ditë në vendlindje. “Unë e konsideroj Berlinin shtëpinë time të dytë, edhe pse nuk di të flas gjermanisht. Do të kthehesha në Kinë vetëm nëse Siçuani do të bëhej i pavarur”- përgjigjet ai.

Më pas mendimet e tij kthehen tek lufta në Ukrainë: “I admiroj shumë ukrainasit për mënyrën se si po luftojnë! Ata absolutisht nuk duhet të lejohen që të mposhten. Një regjim i mbrapshtë mund të duket i fuqishëm, por nëse shihni historinë, ai nuk ka asnjë vlerë. Sepse, krimet e tij janë regjistruar që të gjitha. Dhe, ndonëse mund ndihemi të parëndësishëm tani për t’i mbledhur ato, dëshmia që lëmë pas në terma historikë, do të zgjasë më shumë sesa çdo tirani”. /Bota.al/

 

 

Exit mobile version