Telegrafi

Kica-Xhelili ulet pranë Abdixhikut në Grupin Parlamentar të LDK-së

Deputetja Doarsa Kica-Xhelili e cila ditë më parë ka zyrtarizuar kalimin nga Lista “Guxo” në Lidhjen Demokratike të Kosovës, po merr pjesë në seancën e sotme të Kuvendit.

Ajo është ulur pranë kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në pjesën e Kuvendit ku ulen Grupi Parlamentar i kësaj partie.

Kjo është seanca e parë e Kuvendit, pas kalimit të Kica-Xhelilit në LDK.

Ndryshe, dje në daljen e parë publike pas largimit nga Lista Guxo, ajo u është përgjigjur kritikave për kalimin e saj në partinë e re.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Forumit të Gruas të LDK-së, Kica-Xhelili ka thënë se nuk ndihet e fyer me atë, siç është shprehur ajo, se të tjerët u përpoqën të tregojnë arsyet e largimit të saj nga Lista Guxo.

“Sot jam për herë të parë para jush në FG të LDK-së si një grua e LDK-së. Ditët që shkuan të tjerët u munduan që ta tregojnë të vërtetën time që nuk ka të bëjë fare me mua. Dhe jam e bindur se nuk do të jetë hera e fundit sikurse jam e bindur se jam larg shumë larg e të qenit gruaja e vetme në këtë sallë që dikush tjetër u mundua të tregojë biografinë e saj”.

“Unë absolutisht nuk ndihem e fyer e lëre më e dobësuar nga kushdo që mendon se biografi e një gruaje në Kosovë mund të tregohet nga të tjerët. Nuk do të lejoj që biografia e secilës grua në Kosovë të reduktohet nga shoqëria dhe sistemi i drejtësisë”, ka thënë anëtarja më e re e LDK-së. /Telegrafi/