Site icon Telegrafi

KGJK dhe KPK i reagojnë kryeministrit Kurti: Nuk jemi si të tjerët, jemi të përgjegjshëm dhe profesionalë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), kanë reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili gjatë ditës së premte i kritikoi për mungesë reagimi ndaj rastit të dhunimit të 11-vjeçares.

Në reagimin e tyre thuhet se “në raport me këtë çështje sillemi si institucione të përgjegjshme, të pavarura dhe profesionale dhe jo si disa institucione që përmes reagimeve me deklarata publike nuk përngjajnë në institucione shtetërore”.

Lexo po ashtu Rasti i dhunimit i të miturës, Kurti: Nuk mjaftojnë dy dorëheqje, ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve?

Po ashtu, KGJK dhe KPK thonë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme për trajtimin e rastit në fjalë me profesionalizëm.

“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i bëjnë thirrje Qeverisë që të përmbush përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për krijimin e kushteve të nevojshme për strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit, në mënyrë që viktimat e krimit të mos të mbesin në mëshirën e organizatave jo qeveritare për strehim dhe rehabilitim”, thuhet në komunikatën për media.

Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial tutje kanë siguruar opinionin se janë të vendosur për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera pa përjashtim. /Telegrafi/

Exit mobile version