Site icon Telegrafi

KFOR-i zotohet për vazhdimin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës

Policia e Kosovës është e përgatitur të luftojë kundër krimit të organizuar dhe të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Kështu ka thënë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Shpend Maxhuni gjatë një takimi sot me gjeneralin e KFOR-it Salvatore Cuoci, ku është diskutuar për punën e Policisë së Kosovës në shumë fusha, e në veçanti atë të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Maxhuni tha se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë me KFOR-in, i cili ka treguar rezultate pozitive në fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe sukseset në patrullimet e përbashkëta, kryesisht në brezin kufitar.

Si rezultat i nevojës së angazhimit, bashkëpunimit dhe inkuadrimit të Policisë së Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, siç është Interpoli, drejtori Maxhuni kërkoi nga gjenerali Cuoci që të përkrahë dhe të mbështesë Policinë e Kosovës në anëtarësimin e saj në këtë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar.

Nga ana e tij, kreu i KFOR-it konfirmoi se do t’i kushtojë rëndësi vazhdimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes, në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë edhe bashkëpunimin në nivel të drejtorëve rajonalë të të dy institucioneve.

Takimi zyrtar u përmbyll me një vizitë të realizuar në Qendrën Operative Komunikuese të PK-së, ku aktualisht është duke u zhvilluar një ushtrim i përbashkët i Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe institucioneve tjera emergjente, ushtrim ky i cili u vlerësua mjaft i suksesshëm nga Maxhuni dhe gjenerali Cuoci.

Exit mobile version