Pjesëtarët e KFOR-it kanë shpërthyer në mënyrë të kontrolluar një mjet shpërthyes një kilometër larg pikës kufitare Merdare.
Baki Kelani, zëdhënës i policisë së Kosovës ka bërë të ditur se sot rreth orës 17:30 në stacionin policor kufitar Merdare) nga pjesëtarë të KFOR-it është kërkuar ndalimi i përkohshëm i qarkullimit të personave dhe automjeteve, për arsye se janë duke e bërë shpërthimin në mënyrë të kontrolluar të një mjeti shpërthyes.
“Lokacioni i mjetit shpërthyes ka qenë në distancë mbi një kilometër larg pikës kufitare, por për shkaqe sigurie për një kohë të shkurtër është ndërprerë qarkullimi”, ka thënë Kelani.
Rreth orës 18:20 rruga është liruar për qarkullim normal. Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për llojin e mjetit shpërthyes. /KP