Telegrafi

KFOR-i reagon për aksionin e Policisë në veri, thotë se situata në terren është e qëndrueshme

KFOR-i përmes një komunikate për media ka reaguar në lidhje me aksionin e Policisë së Kosovës në veri, ku pati të arrestuar në lidhje me vrasjen e liderit serb Oliver Ivanoviq, në janar të këtij viti.

KFOR-i thekson se sot në mëngjes Policia e Kosovës ka kryer një operacion policor, pas një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata e Prishtinës në lidhje me hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Nuk kishte asnjë veprim të paligjshëm dhe nuk ka pasur ndonjë kërcënim për sigurinë e qytetarëve. KFOR konfirmon se ajo që ndodhi ishte vetëm një operacion policor dhe jo ndonjë aksion i Forcave të Sigurisë së Kosovës ose ndonjë force tjetër ushtarake. Situata në terren mbetet e qëndrueshme dhe nën kontroll, ndonëse KFOR-i është i vetëdijshëm se ka rritje të tensioneve në nivel politik për shkak të disa zhvillimeve ndërkombëtare dhe ekonomike. Për shkak të ndjeshmërisë aktuale politike, komandanti i KFOR-it i fton të gjitha palët t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa përdorimin e forcës apo dhunës. Sidoqoftë, KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe të ruajë prezencën e saj në terren, me shpresën se nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje”, thuhet në reagim.

Ndryshe, pjesëtarë të forcave të KFOR-it janë parë sot te vendi i quajtur “Kërshi i dudës”, në afërsi të protestës së serbëve në Rudarë. /Telegrafi/