Një prej basketbollistëve më të mirë në botë, Kevin Durant, i cili aktualisht luan për Oklahoma City Thunder, verës do të jetë lojtar i lirë dhe tashmë shumë klube po interesohen për të.
Kevin Durant pritet që pas pëfundimit të këtij sezoni të jetë agjent i lirë dhe të mos vazhdojë kontratën e tij me Oklahoma City Thunder.
Ekipi nga Oklahoma vështirë se do të arrijë ta fitojë trofeun e kampionit të NBA këtë sezon, marrë parasysh se Golden State Warriors dhe San Antonio Spurs janë liderë të konferencës Perëndimore.
Edhe pse kohë më parë Durant është lidhur me një kalim te Los Angeles Lakers, tash spekulimet po marrin formë tjetër, shkruan Telegrafi.
Durant duket se ka tërhequr interesimin e San Antonio Spurs, ekipit dominues nga konferenca Perëndimore pesë herë kampion i NBA.
Atë në ekip e dëshiron Gregg Popovich, ndonëse për transferim të tij dhe nënshkrim do të duheshin bërë sakrifica me lojtarë të nivelit botëror si Kaëhi Leonard, i cili luan në të njëjtën pozitë si Durant.
Megjithatë, gatishmëria që Leonard të vë ekipin mbi të gjitha, mund të bëjë që Durant të marrë pozitën e tij dhe që të dy të kombinohen në një formacion ku qendër do të ishte Lamarcus Aldridge, me Tony Parker, Dany Green, Leonard e Durant në pjesën tjetër të formacionit.
Një transferim i tillë është shumë i mundur, marrë parasysh se kolegjin Durant e ka kryer në Austin të Teksasit, qytet që gjendet vetëm një orë e gjysmë larg nga San Antonio.
Në Austin të Teksasit të gjithë janë admirues të Durant dhe aty lojtari ka kaluar kohë të mirë, e duke marrë parasysh se në Austin shumica e tifozëve janë me San Antonion, atëherë një transferim është shumë i mundur.
Po ashtu në Teksas sportistët janë të liruar nga tatimet, çka do ta joshte edhe më shumë Durantin që të nënshkruante për San Antonion në një moshë kur ai ka nevojë për tituj të kamponit për t’u shpallur prej më të mirëve në histori të sportit të basketbollit.
Mbetet të shihet ajo që do të ndodhë gjatë verës, por nëse Gregg Popovich, trajneri legjendar i San Antonios i hynë punës për transferimin e Durant, vështirë se do të mund ta ndalë dikush. /Telegrafi/