Pas pothuajse tri javësh nga mbajtja e zgjedhjeve të 11 qershorit, Komisioni Qendror Zgjedhor sot ka publikuar rezultatet zyrtare. Meqenëse koalicioni PDK-AAK-NISMA ka fituar më së shumti vota në këto zgjedhje, me gjithsej 39 deputetë, atëherë pritet që institucionet e ardhshme të vendit të krijohen nga këto parti, së bashku me minoritetet.
Ndonëse fitues të zgjedhjeve, PAN edhe me minoritete nuk do të arrijë të formojë Qeverinë, pa “ndihmën” e ndonjë partie tjetër, apo disa individëve nga partitë tjera.
Por, siç duket PAN ka siguruar numrin e votave për formimin e Qeverisë, pasi që ata tashmë kanë filluar diskutimet për ndarjen e pozitave institucionale.
Burime brenda koalicionit fitues bëjnë të ditur se nga gjithsej 19 ministri të Kosovës, AAK do të marrë 4 ministri, ndërsa NISMA 2 ministri.
Ndonëse jo zyrtare, brenda PAN-it po flitet se AAK me gjithsej 10 deputetë të fituar në këto zgjedhje ka kërkuar Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e FSK-së.
Ndërsa NISMA me 6 deputetë ka kërkuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Se sa do të jenë definitive këto spekulime do mësohet në fillim të muajit korrik, kur PAN pretendon të formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës. /Indeksonline/