Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri sërish ka kërkuar nga kreu i Qeverisë që ta rishikojë marrëveshjen për Demarkacionin, ndërkohë që prezantoi hapat se si të veprohet në lidhje me marrëveshjen me Malin e Zi.
Ymeri në një konferencë për media tha se Komisioni shtetëror nuk e ka shënjuar kufizimin me Malin e Zi, por e ka krijuar një kufi të ri.
Lideri i VV-së, paraqiti disa hapa, konkretisht kërkesa lidhur me çështjen e demarkacionit.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta formoj një Komision gjithë partiak dhe t’i udhëzoj institucionet për arritjen e një marrëveshje me palën malazeze; Kryeministri duhet të kërkoj nga homologu i tij malazez që të rishikoj edhe njëherë marrëveshjen; Kryeministri përmes një letre zyrtare duhet të zotohet për shënjimin e kufirit me Malin e Zi; Të organizohet një konferencë shkencore ndërkombëtare; Çështja e kufirit ka nevojë për debat të hapur demokratik dhe të bëhet në mënyrë të drejt dhe të pranueshme dhe të ruaj integritetin e vendit”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu tha se përderisa marrëveshja mbetet e njëjtë edhe kundërshtimi i tyre do të jetë i njëjtë. /Telegrafi/