Site icon Telegrafi

Këto janë kërkesat e Rusisë që thotë se duhet të plotësohen për të ulur tensionet në Evropë

Rusia ka paraqitur një listë të garancive të sigurisë, për të cilën thotë se dëshiron që Perëndimi të bie dakord për të ulur tensionet në Evropë dhe për të zbutur krizën mbi Ukrainën, duke përfshirë shumë elementë që tashmë janë përjashtuar.

Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, kërkesat përfshijnë ndalimin e hyrjes së Ukrainës në NATO dhe kufizimin e vendosjes së trupave dhe armëve në krahun lindor të NATO-s, në fakt kthimin e forcave të NATO-s aty ku ishin vendosur në vitin 1997, përpara një zgjerimi drejt lindjes.

Drafti i traktatit prej tetë pikash u publikua nga ministria e jashtme e Rusisë ndërsa forcat e saj u grumbulluan brenda distancës goditëse të kufijve të Ukrainës. Moska tha se injorimi i interesave të saj do të çonte në një “përgjigje ushtarake” të ngjashme me krizën e raketave kubane të vitit 1962.

Preisdenti rus, Vladimir Putin ka kërkuar që perëndimi t’i japë Rusisë “garanci ligjore” për sigurinë e saj. Por propozimet agresive të Kremlinit ka të ngjarë të refuzohen në kryeqytetet perëndimore si një përpjekje për të zyrtarizuar një sferë të re ndikimi rus mbi Evropën Lindore.

Kërkesat, të shprehura plotësisht nga Moska për herë të parë, iu dorëzuan SHBA-së këtë javë. Ato përfshijnë një kërkesë që NATO të heqë çdo trupë ose armë të vendosur në vendet që hynë në aleancë pas vitit 1997, e cila do të përfshinte pjesën më të madhe të Evropës Lindore, duke përfshirë Poloninë, vendet ish-sovjetike të Estonisë, Lituanisë, Letonisë dhe vendeve të Ballkanit. /Telegrafi/

Exit mobile version