Telegrafi

Këto janë femrat më të votuara për Këshillin Drejtues të PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës ka përfunduar zgjedhjet e brendshme, gjatë ditës së diel, gjatë së cilave ka zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues.

Anëtarët më të votuar gjatë zgjedhjeve të së dielës janë: Uran Ismaili, Bajrush Xhemaili, Hajredin Kuçi, Idriz Vehapi, Bedri Hamza e të tjerë.

Në listën e publikuar nga Partia Demokratike të Kosovës, vihen re kandidatët femra të kësaj partie të cilat kanë arritur të marrin numër të madh votash, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Këta janë emrat e anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së

Bazuar në listën e publikuar nga PDK, Blerta Deliu po del të jetë femra më e votuar në zgjedhjet e së dielës. Ajo ka grumbulluar  gjithsej 406 vota.

Deliu përmes një shkrimi të bërë në Facebook, ka falënderuar të gjithë delegatët e Konventës së Nëntë të PDK-së, për besimin e dhënë.

Ajo ka shtuar se kjo për të do të thotë më shumë përgjegjësi dhe angazhim për të punuar për jetësimin e platformës Dekada e Re me liderin Kadri Veseli dhe gjithë ekipin e tij.

E dyta nga femrat më të votuara në PDK, po del të jetë Safete Hadërgjonaj me 388 vota. Ndërsa e treta e cila ka grumbulluar 373 vota është Valdete Idrizi.

Edhe anëtarja më e re e Partisë Demokratike të Kosovës,  Eliza Hoxha e cila së voni i është bashkuar kësaj partie ka dalë ndër femrat më të votuara në këto zgjedhje, duke mbledhur 364 vota.

Ganimete Musliu radhitet e pesta në listën e grave më të votuara, duke marrë 358 vota.

Theksojmë se në zgjedhjet e së dielës, pa asnjë votë kundër e pa kundërkandidat, Kadri Veseli është zgjedhur edhe për një mandat kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. /Telegrafi/