Site icon Telegrafi

Këto janë 7 kompanitë gjigante që vlejnë së bashku 14 trilionë dollarë – por ja sa fitojnë CEO-t e tyre

Kompanitë – Microsoft, Apple, Nvidia, Alphabet, Amazon, Meta dhe Tesla – kanë një vlerë të kombinuar prej afro 14 trilionë dollarë.

Dhe drejtimi i një prej këtyre firmave të “Big Tech” do të thotë gjithashtu të marrësh një pako mjaft të majme pagash.

Kështu, kompensimi total i CEO i Apple, Tim Cook, vitin e kaluar arriti në 63.2 milionë dollarë, për shembull, megjithëse Andy Jassy i Amazon mori vetëm rreth 1.3 milion dollarë.

Business Insider ka bërë një shkrim rreth “kompensimit total” që gëzuan CEO-t e tyre vitin e kaluar përmes deklaratave më të fundit të përfaqësuesve të kompanive.

CEO i Apple, Tim Cook

Kompensimi total i Tim Cook arriti në 63.2 milionë dollarë vitin e kaluar, por paga e tij bazë vjetore ka mbetur e njëjtë në 3 milionë dollarë që nga viti 2016.

Sipas BI, përcjell Telegrafi, 63.2 milionë dollarë përfshinin pagën e tij bazë vjetore, si dhe 46.9 milionë dollarë çmime në aksione dhe jo vetëm.

Më pas ai mori 2.5 milionë dollarë të tjera si kompensim tjetër, i cili përfshin shpenzimet e tij të sigurisë dhe udhëtimet e biznesit dhe personale me një aeroplan privat.

Kompensimi i tij në vitin 2023 u ul me pothuajse 40% krahasuar me një vit më parë, kur ai mori 99.4 milionë dollarë.

Kjo për shkak se investitorët e Apple u nxitën të votonin kundër paketës së tij të pagave për vitin 2022 nga një firmë këshilluese aksionere, kështu që Cook kërkoi uljen.

CEO i Microsoft, Satya Nadella

Kompensimi total i Satya Nadella ishte 48.5 milionë dollarë vitin e kaluar, 12% më pak nga 54.9 milionë dollarë në vitin 2023.

Që nga dhjetori, CEO i Microsoft zotëronte 800,667 aksione në kompani dhe shumica e pagës së tij është e lidhur me performancën e kompanisë, sipas deklaratës së përfaqësuesit.

Paketa e tij më e fundit e pagave përfshin pagën prej 2.5 milionë dollarësh, aksione me vlerë 39.23 milionë dollarë, stimuj prej 6.4 milionë dollarësh dhe 360,000 dollarë për kompensime të tjera.

Në dekadën që ai ka qenë CEO, kompensimi i tij total ka tejkaluar 1 miliard dollarë, sipas një analize të fitimeve të tij të kryera nga Bloomberg vitin e kaluar.

CEO i Nvidia, Jensen Huang

Jensen Huang mori një paketë kompensimi prej 34.2 milionë dollarësh për vitin më të fundit fiskal të Nvidia, i cili përfundoi në janar.

Ai përbëhej nga 26.7 milionë dollarë çmime në aksione, 4 milionë dollarë bonuse në para dhe 2.5 milionë dollarë për shpenzime të tjera, duke përfshirë sigurinë e banimit, një makinë dhe shofer.

Kjo është një rritje prej 60% nga një vit më parë, kur ai mori 21.35 milionë dollarë.

Kjo përfshinte një pagë bazë prej 996,832 dollarë, çmime të aksioneve me vlerë pothuajse 19.7 milionë dollarë dhe pothuajse 700,000 dollarë në kompensim tjetër. Raporti mesatar CEO-punonjës ishte 94:1.

CEO i Meta, Mark Zuckerberg

Mark Zuckerberg ka pasur një pagë bazë prej vetëm 1 dollarë që nga viti 2013.

Megjithatë, mos “ndjeni keqardhje“ për bashkëthemeluesin e Facebook, pasi ai merr miliona të tjera për të mbuluar kostot e sigurisë dhe logjistikës.

Në vitin 2023, kompensimi i tij total arriti në 24.4 milionë dollarë.

CEO i Alphabet, Sundar Pichai

Kompensimi i Sundar Pichai në vitin 2023 arriti në 8.8 milionë dollarë.

Një dosje tregon se paga e tij në vitin 2023 ishte raportuar në 2 milionë dollarë, dhe ai gjithashtu mori rreth 6.77 milionë dollarë për sigurinë personale.

Sipas një raporti të paraqitur në prill të vitit 2023, kompensimi i tij total në vitin 2022 arriti pothuajse 226 milionë dollarë, shkruan BI, përcjell Telegrafi.

CEO i Amazon, Andy Jassy

Kompensimi i CEO i Amazon, Andy Jassy për vitin 2023 ishte 1.3 milion dollarë sipas raportit të fundit të përfaqësuesit të kompanisë.

Kjo përfshinte një pagë 365,000 dollarë dhe 992,764 dollarë për aranzhimet e sigurisë.

Kompensimi i realizuar nga Jassy në 2023 dhe 2022 ishte dukshëm më i ulët se shuma që ai mori në vitin 2021 për shkak të çmimit më të ulët të aksioneve të Amazon dhe më pak aksioneve të zotëruara në dy vitet e fundit, sipas dosjes.

Jassy mori 212.7 milionë dollarë në kompensim total në vitin 2021 kur mori detyrën si CEO nga Jeff Bezos.

Elon Musk i Tesla

Sipas një shkrimi të fundit nga The Guardian, Tesla u kërkon aksionerëve të mbështesin pagën prej 56 miliardë dollarësh për Elon Musk të refuzuar nga një gjykatës.

Por Tesla së fundmi u kërkoi aksionerëve të saj që të miratojnë edhe një herë pagën rekord të CEO, Elon Musk, e cila ishte vendosur në vitin 2018.

Kjo pasi një gjykatës i Delaware e hodhi poshtë paketën e pagave në janar, duke e quajtur atë të tepruar dhe duke thënë se bordi i kompanisë nuk e justifikoi atë.

Kompensimi nuk përfshin pagë ose bonus në para, por përcakton shpërblime bazuar në vlerën e tregut të Tesla-s gjatë 10 viteve të ardhshme.

Sipas të dhënave të LSEG, Tesla tani vlerësohet në mbi 500 miliardë dollarë. /Telegrafi/

Exit mobile version