Telegrafi

Këtë vit Dogana me 14 për qind më shumë të hyra, janë rritur edhe konfiskimet

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati kanë vizituar sot Doganën e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti pas takimit që zhvilloi në Doganë të Kosovës, u shpreh i kënaqur me të arriturat e Doganës brenda këtij viti.

Ai tha se kjo vizitë është për të shprehur mirënjohjen dhe gatishmërinë për të mbështetur Doganat e Kosovës.

Sipas Kurtit, Doganat e Kosovës kanë shënuar ngritje të të hyrave për 14% këtë vit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar derisa edhe konfiskimet janë rritur në 5 milionë, krahasor me vitin e kaluar që ishin 2 milionë.

“Kjo vizitë e jona në njërën anë është falënderim e mirënjohje drejtorit dhe udhëheqjes së Doganave të Kosovës. Policia dhe Doganat e Kosovës janë thelbi i sigurisë publike në Kosovës. Kjo vizitë e jona nuk ka të bëjë me të tashmen dhe të kaluarën por shprehje gatishmëri për mbështetje në vijim. Përderisa në vitin e kaluar kemi pasur konfiskime në vlerën 2 milionë euro, në këtë vit kemi konfiskim pesë milionë euro. Të hyrat e gjithmbarshme në vitin 2021 janë mbi 30 për qind më shumë se sa vitin 2020. Edhe besueshmëria për doganat e Kosovës është rritur”, tha Kurti.

Kurse, drejtori i përgjithshëm, Agron Llugaliu tha se dogana vazhdon të ketë performancë pozitive, krahasuar me vitin e kaluar si në fushën e të hyrave, ku janë mbledhur 14% më shumë se vitin e kaluar.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se përmes kësaj vizite po ofrojnë mbështetje këtij institucion i cili është i rëndësishëm për të hyrat e Kosovës.

Ai tha se tashmë zëniet e produkteve të kontrabanduara janë bërë çështje të përditshme dhe kjo është mesazh për ata që provojnë të bëjnë kontrabandë se iu kushton shumë më shtrenjtë. /Telegrafi/