Warren Beatty dhe Faye Dunaway e kanë prezantuar sërish çmimin për filmin më të mirë në Academy Awards dhe kësaj radhe nuk gabuan.
Përkundër gafës që bënë në vitin e kaluar kur e shpallën gabimisht fitues filmin “La La Land” në vend të “Moonlight”, yjet e filmit “Bonnie and Clyde” u ftuan sërish ta ndanin Oscarin për kategorinë kryesore.
Natyrisht se edhe prezantuesi Jimmy Kimmel nuk ka mundur që të mos i ngacmojë për gafën e bërë një vit më parë.
https://www.youtube.com/watch?v=WSCuGj0pIww
Para se të ndahej çmimi, komiku tha se asgjë e keqe nuk mund të ndodhte, duke qenë se të tilla gjëra tashmë i kemi parë në të kaluarën.
Sidoqoftë, në edicionin e 90-të të Academy Awards, Beatty dhe Dunaway u treguan të saktë. Edhe ata bënë shaka me veten para se ta ndanin çmimin.
“Është gjë e bukur t’ju shohim sërish”, u shpreh Beatty, derisa Dunaway shtoi se thonë që prezantimi për të dytën herë është akoma më i bukur.
Çmimin Oscar për filmin më të mirë e fitoi “The Shape Of Water”, edhe pse “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri” ishte konsideruar favorit për këtë kategori. /Telegrafi/