Telegrafi

Këta tetë futbollistë të Kombëtares kaluan testin antidoping të UEFA-s

Grupi i kontrollit të UEFA-s për substancat e ndaluara mësyu në një vizitë blic në rezidencën ku është grumbulluar Kombëtarja shqiptare në Bad Waltersdorf të Austrisë.

Menjëherë pas zgjimit, dhjetë futbollistë kuqezi iu nënshtruan kontrolleve, bëri të ditur “Supersport”. Tetë prej tyre, Cikalleshi, Berisha, Lenjani, Hysaj, Cana, Gjimshiti, Memushaj e Abrashi ishin në listën kryesore të përcaktuar nga UEFA.

Kontrolle ishin parashikuar edhe për Ansi Agollin dhe Burim Kukelin, të cilët ende nuk i janë bashkuar skuadrës kuqezi në grumbullim. Kjo bëri që dy lojtarët të zëvendësoheshin me emrat e kuqezinjve në listën rezervë, me Migjen Bashën dhe Andi Lilën, të cilët i’u nënshtruan testeve. Lojtarët u shoqëruan nga pjesëtarët e anti-dopingut në tualet për provën e urinës dhe në një dhomë të posaçme për testin e gjakut.

Edhe pse lojtarët i pritën me humor kontrollet anti-Doping, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për trajnerin Gianni De Biasi. Vizita e befasishme nga grupi i UEFA-s bëri që stërvitja e paradites në ditën e tretë të niste me 15 minuta vonesë.