Telegrafi

Këta janë zyrtarët e ATK-së që u arrestuan për “Mashtrimi në detyrë”

Policia gjatë një operacioni të martën kanë arrestuar 13 persona, prej tyre 12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, të dyshuar për veprat penalen “Mashtrimi në detyrë”.

12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) janë arrestuar dhe janë dërguar në ndalim për 48 orë nën dyshimin për mashtrim në detyrë.

Arrestimi i tyre u bë gjatë ditës së sotme në aksionin e Prokurorisë së Prishtinës dhe hetuesve të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.

Lexo po ashtu Mashtruan me fatura fiktive në vlerë prej 18 milionë euro, arrestohen 12 zyrtarë të ATK-së dhe një pronar biznesi

KALLXO ka siguruar listën me emrat e zyrtarëve të arrestuar.

Zyrtarët janë: Masar Zejnullahu, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Avdi Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paqarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Rama e Xhemajl Hertica.

Këta zyrtarë dyshohet se kishin pranuar 23 fatura fiktive nga F.P., një biznesmen nga Prizreni, i cili kishte aplikuar për rimbursim nga TVSH.

Faturat kishin vlerë 18 milionë euro ndërsa pretendohet se rimbursimi do të kapte vlerën 2,8 milionë euro.

Në një njoftim të Prokurorisë së Prishtinës thuhet se në total 13 persona janë arrestuar gjatë aksionit të sotëm, prej tyre 12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës e një pronar biznesi.