Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar sot përqindjen e mospjesëmarrjes në votime të secilit deputet kur kanë qenë të pranishëm në seancat e Kuvendit të Kosovës.
KDI njofton se kjo përqindje është nxjerrë duke përpjesëtuar numrin e pikave të votimit në të cilat deputeti/ja nuk ka votuar (deputeti/ja ka qenë i/e pranishëm në seancë, por nuk ka votuar as PËR, as KUNDËR, as ABSTENIM), me numrin total të pikave të votimit ku deputeti ka qenë i pranishëm në sallë.
Deputetët me përqindjen më të lartë të mospjesëmarrjes në votime janë: Imet Rrahmani, Lutfi Zharku, Fidan Rekaliu, Doruntina Maloku-Kastrati, Liburn Aliu, Slavko Simiç, Srdjan Mitrovic, Vjosa Osmani-Sadriu, Slobodan Petroviç, Besa Gaxherri, Rexhep Selimi.
Listën e plotë të mospjesëmarrjes së deputetëve në votime mund ta gjeni këtu:
Ndryshe, KDI njofton se mospjesëmarrja në votim është shmangie nga përgjegjësia dhe përfaqësimi i qytetarëve.
Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, neni 40, pika 1 e thotë qartë që deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në seancat plenare dhe mbledhjet e trupave të tjerë ndihmës të Kuvendit, ku ata janë anëtarë.
Po në të njëjtin ligj, gjegjësisht në neni 41 thuhet që deputetët që nuk marrin pjesë në seancë dhe punimet e tjera brenda Kuvendit do t’iu reduktohet paga bazë dhe kompensimet shtesë.
Deputetë janë të obliguar të marrin pjesë dhe të shprehin mendimin e tyre çfarëdo qoftë ai me anë të votës. /Telegrafi/