Franck Kessie po kalon vitin e parë te Barcelona dhe ka filluar të shkëlqej pas një fillimi të vështirë.
Mesfushori nga Bregu i Fildishtë ka folur për të ardhmen e tij, pasi flitej për një largim të mundshëm nga Barcelona në verë.
Interi mbetet skuadra më e interesuar për t’i fituar shërbimet e afrikanit, por Kessie ka thënë se nuk e ka ndërmend largimin nga Camp Nou.
“Kur sheh emrin tënd të lidhur me një klub tjetër do të thotë se ke bërë mirë. Mua më vjen mirë sepse jam pjesë e mesfushës së Barcelonës, kam debutuar me katalanasit dhe kjo nuk është pak”, tha Kessie.
26-vjeçari megjithatë thotë se është shumë i lumtur në Camp Nou dhe nuk e mendon largimin nga Barcelona pasi synon të mbetet gjatë në Kataluni.
“Jam i lumtur për interesimin, ka skuadra që më kërkojnë. Por kam firmosur një kontratë katërvjeçare dhe ndjehem pjesë e Barçës. Synon të mbetem pjesë e tyre për shumë vite”, deklaroi Kessie.
Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë ka zhvilluar 30 ndeshje këtë edicion në të gjitha garat për Barcelonën ku ka shënuar dy gola dhe ka asistuar në tre të tjerë. /Telegrafi/