Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni duhet të mbahen më 11 dhjetor të këtij viti por fushata ka filluar që tani. Lëvizja Qytetare për Mbrojtjen e Maqedonisë (LQMM) e ka lëshuar një video ku flitet për premtimet e Zoran Zaev për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Maaqedoni. Në këtë video përmendet edhe Lëvizja Besa, të cilët quhen ”vehabistë radikal”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Telegrafi Maqedoni ka kontaktuar Lëvizjen Besa për të komentuar këtë akuzë të Lëvizjes Qytetare për Mbrojtjen e Maqedonisë (LQMM).
”Se në çfarë gjendje është Maqedonia sot, pothuajse se nuk ka njeri në vend që nuk e di. Ajo e cila më së shumti na brengos neve si Lëvizje BESA është se këta politikanë me mendësi shoviniste janë të gatshëm që t’i kapërcejnë fjalët dhe popullin e vet ta djegin, vetëm për ta shpëtuar veten e tyre. Në një shtet ku nuk funksion ligji, ku ka rënë sistemi i drejtësisë dhe demokracisë, është plotësisht e pritshme që të dalin politikanë të papërgjegjshëm dhe të përdorin retorikë nacionalistë kundrejt shqiptarëve për të krijuar kështu mjegull për t’i fshehur veprimet korruptive gjatë gjithë kësaj kohe dhe për t’u paraqitur si mbrojtës ekskluzivë të popullit. Shpresojmë që shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin dhe mos të bien pre e këtyre provokimeve, sepse deklarimet e këtilla kanë vetëm një qëllim – acarimin e marrëdhënieve ndëretnike. Atyre që ende nuk e kanë të qartë rolin e shqiptarëve në Maqedoni, jua bëjmë me dije edhe një herë, se pa shqiptarët Maqedonia vështirë e ka të mbetet si e tillë. Maqedonia duhet sa më shpejt të ridefinohet si shtet dhe ta tejkaloje këtë mendësi të sëmurë politike, e cila e shpie shtetin në humnerë. Ajo që i duhet sot Maqedonisë është rikthimi i menjëhershëm në agjendën NATO dhe BE. Ndryshe mund ta pësoje keq.” ka thënë për Telegrafi Maqedoni Faton Fazliu, zëdhënës i Lëvizjes Besa./Telegrafi/