Telegrafi

Kështu përgjigjen Besa, RDK dhe LR-PDSH për shqiptarët në listat e LSDM-së

Fundjavën e kaluar Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë publikoi listat për deputetë ku figuronin edhe emra shqiptarësh, një ndër to edhe Gjylymsere Kasapi dhe Muhamed Zekiri.

Lexo po ashtu Këto janë listat e LSDM-së, shikoni shqiptarët (Foto)

Për këtë Telegrafi Maqedoni ka biseduar me partitë opozitare shqiptare LR-PDSH, Lëvizja Besa dhe RDK për të komentuar ndikimin që shqiptarët e listave të LSDM-së do të kenë në terren në ditën e zgjedhjeve.

”Deri tek ky realitet na solli jo përfaqësimi i denjë i BDI-se dhe PDSH-se, të cilat edhe ne përgjime u pa se janë në shërbim të OBRM-PDUKM-së. Me të drejtë shqiptarët do të kishin arsye të jenë të dëshpëruar nëse nuk do te ishte në skenën politike Lëvizja BESA, radhët e së cilës janë duke u forcuar nga dita në ditë dhe është bërë adresa e vetme e të gjithë shqiptarëve që duan të kontribuojnë për një të ardhme me dinjitet, të barabartë dhe kurrë më nënshtruese ndaj politikave antishqiptare që i zhvilluan partitë maqedonase ngaqë interesi shqiptar ishte i pa përfaqësuar, e përfaqësoheshin vetëm interesat e politikanëve të inkriminuar nga afera më të ndryshme korruptive.” thotë Faton Fazliu, zëdhënës i Lëvizjes Besa.

Lexo po ashtu Nëna e Shpat Kasapit kandidate për deputete në listën e LSDM-së të Zoran Zaevit (Foto)

Nga LR-PDSH për këtë pyetje të Telegrafit të Maqedonisë thonë ”Jo aspak! Koncepti i deritanishëm i partive politike ka qenë kombëtar pavarësisht nga praktika e deritanishme. Dhe shqiptarët që janë pjesë e listës së LSDM do e kenë të vështirë në terrenin politik ta asyetojnë konceptin multietnik duke e anashkaluar shtetin binacional dhe barabarëzinë e plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kandidatët e LSDM nuk pasqyrojnë kërkesa kombëtare të shiptarëve por promovojnë multikulturalizëm politik, dhe do e kenë vështirë të shkelin terrenin e elektoratit shqiptar aq më tepër për të marrë vota shqiptare.” thonë nga LR-PDSH për Telegrafi Maqedoni.

Nga RDK këtë praktikë të LSDM-së e vlerësojnë si jo të jashtëzakonshme.”LSDM gjithmonë ka pasur emra shqip në lista dhe këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Individ gjithmonë i kanë votuar dhe sërish e njëjta do jetë. Masive kurrë.” komentojnë nga RDK./Telegrafi/