Ura e Pelesac, e cila do të hapet zyrtarisht sonte (e martë), do të lidhë jugun e Kroacisë me pjesën tjetër të vendit.
Dhe sipas medieve kroate, përcjell Telegrafi, kjo ngjarje historike për Kroacinë do të shënohet gjatë gjithë ditës me një program që zhvillohet në të dy anët e urës – në Brijesto dhe Komarno.
Ura, e gjithë struktura e së cilës prej betoni nën dhe mbi ujë së bashku peshon sa 30 kulla Eifel, është projekti më i madh i infrastrukturës kroate i financuar nga fondet e BE-së me një shumë të pakthyeshme prej 357 milionë euro (85 për qind e kostos), dhe u punua për dhjetë vjet – nga disa qeveri.
Ajo kalon një ngushticë detare 2140 metra të gjerë, është 2404 metra e gjatë, me një profil lundrimi nën urën 200 me 55 metra dhe projektuesi kryesor dhe përgjegjës i saj është Marjan Pipenbacher.
Bëhet fjalë për inxhinierin slloven i cili ka më shumë se 200 projekte të tilla pas vetes.
Në një intervistë për mediat sllovene me rastin e hapjes së saj, ai deklaroi se beson se ky projekt i përket “klasit botëror” dhe se ajo përfaqësonte sfidën e tij më të madhe deri tani.
“Ura e Pelesac është ndër pesë urat më të mëdha evropiane nëpër gjiret detare që janë ndërtuar në fillim të shekullit të XXI-të dhe i përket klasit botëror”, citohet të ketë thënë Pipenbacher.
Siç ka vlerësuar ai, Ura e Pelesac, e cila lidh jugun e Kroacisë me pjesën tjetër të vendit, është e rëndësishme jo vetëm për Kroacinë, por edhe për hapësirën më të gjerë evropiane.
Bëhet e ditur se punimet e ndërtimit në urë janë kryer nga kompania kineze China Road and Bridge Corporation (CRBC), dhe Pipenbacher gjithashtu thekson faktin se askush nuk ka vdekur gjatë ndërtimit.
Ndërkohë janë publikuar disa pamje që tregojnë procesin e ndërtimit të urës – pamje, disa që vijnë nga toka dhe të tjera nga hapësira. /Telegrafi/