Telegrafi

Kështjella, nga bota e modelimit në Parlamentin zviceran

Edhe një kandidate me prejardhje shqiptare ka zgjedhur CVP-PDC-në, subjektin politik që mbështetet në vlerat kristiane për të kandiduar nga Berna për deputete të Parlamentit nacional të Zvicrës.

Bëhet fjalë për dikur ‘Miss Kosova’ dhe ‘Miss Kosova Universe 2010’, Kështjella Pepshi. Lajmin e ka konfirmuar vet modelja.

“Me politikë nuk do të thotë që merrem shumë kohë apo pak. Unë merrem më tepër me kulturë. Po jam e rritur në frymën e politikës, sepse të dy prindërit e mi janë marrë me politikë. E them këtë, sepse Kosovës i është dashur përfshirja e secilit mërgimtar në parti politike apo shoqata të ndryshme, në mënyrë që sa më shumë të ndihmohet procesi i pavarësisë së Kosovës. Kështu që pak a shumë kam njohuri edhe në këtë fushë”, ka thënë Kështjella në një prononcim për albinfo.ch.

Kështjella është me origjinë nga Peja. Ajo  jeton me prindërit dhe familjen e saj në Bernë të Zvicrës. Ajo e ka prezantuar Kosovën në konkursin botëror të bukurisë në “Miss Universe 2010” në Las Vegas.

Po ashtu, Pepshi ka konkurruar për Miss në dy kantone, atë të Solothurnit dhe Bernës më 2010 dhe është renditur në pesë vendet e para. /Telegrafi/