Telegrafi

Këshilltarja e Ramush Haradinajt, porosit LVV-në dhe LDK-në: E pandershme të bëhet pazar me postin e Presidentit të Kosovës

Meliza Haradinaj, këshilltare e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, ka komentuar sot mbarvajtjen e bisedimeve në mes LVV-së e LDK-së për krijmin e institucioneve shtetërore.

Ajo është marr edhe me postin e presidentit, duke kritikuar të dy partitë se është e papranueshme të bëhet pazar për këtë post.

Në një postim në llogarinë e saj në Facebook, Haradinaj ka shkruar se “nëse edhe Presidenti i ardhshëm do të jetë politik, më mirë të hiqet dorë nga reforma e tërësishme zgjedhore dhe të vazhdohet me menaxhimin e dështimeve politike”.

Postimi i plotë i Meliza Haradinajt:

“PO HIQNI DORË NGA NDRYSHIMI ENDE PA IA NISË!

Është e pandershme, joparimore, dhe mashtruese që pazari për Presidentin e ri të Kosovës, të bëhet në kurriz të ndryshimit që e kërkoi sovrani me 6 tetor.

VV si fituese e zgjedhjeve nuk do të duhej që për hir të marrëveshjes së koalicionit për pushtet me LDK-në, të sakrifikojë reformën e nevojshme e të shumëkërkuar zgjedhore – e cila do të duhej të mundësojë zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm direkt nga populli, e jo nga pazaret politike.

Me këtë logjikë, nëse edhe Presidenti i ardhshëm do të jetë politik, më mirë të hiqet dorë nga reforma e tërësishme zgjedhore dhe të vazhdohet me menaxhimin e dështimeve politike!”, ka shkruar ajo në Facebook. /Telegrafi/

Ndryshe sot kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar sot me nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmanin.

Lexo po ashtu Kurti takohet me Osmanin, thotë se Kosova do të dalë nga kriza dhe do të përparojë

Përmes një postimi të bërë në Facebook, Kurti ka shkruar që së bashku me Osmanin kanë biseduar për përgatitjet për qeverisjen e re dhe sfidat që i presin./Telegrafi/