Faton Peci, këshilltar i u.d presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklaratës së zëvendësministrit në detyrë të Financave, Agim Krasniqi, i cili ka thënë se zyrtarët në Kuvend dhe Presidencë për festat e fundvitit do të marrin nga 500-600 euro shtesë krahas pagës së tyre.
Peci në reagimin e bërë drejtuar Krasniqit, ka thënë se ai duhet të tregojë se ku janë avulluar 2.1 milionë euro të taksapaguesve të Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Para se të flasë për ‘lulëzim ekonomik’, në Kuvend e Presidencë zëvendësministri i financave le t’i tregon qytetarëve të Kosovës ku u avulluan 2.1 milion euro të taksapaguesve të Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.
Më tej, ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës ia ka kthyer Qeverisë në rishikim të buxhetit mbi 1.5 milionë euro kursime.
“Sa për vëmendjen e zv.ministrit dhe të publikut, Kuvendi i Kosovës ia ka rikthyer Qeverisë në rishikim të buxhetit mbi 1.5 milion euro kursime. Prandaj, zv. ministër (drejtor i buxhetit i PAN-it), ku mbeten 2.1 milion euro?! P.S.Vendimi i Kuvendit është kolegjial. Në Kryesi marrin pjesë të gjitha partitë, teksa këtë vendim Kryetarja e Kuvendit nuk e ka votuar”, vijon reagimi i tij.
E, në postimin e Pecit ka reaguar sërish zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi. Ai ka thënë se për 20 vjet nuk ka përdor e as keqpërdor buxhetin e Kosovës.
“Për të tjerat ju tregon ish-ministri që as edhe më të voglin cent për 20 vjet nuk kam përdor e zot mos thuaj keqpërdor buxhetin”, ka shkruar ai në koment drejtuar Pecit.
Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi më herët ka thënë se në Kuvend dhe Presidencë të Kosovës po bëhet “lulëzim ekonomik”, pasi që po ndahen shtesat prej 500-600 euro për zyrtarët e Kuvendit dhe Presidencës, për festat e fundvitit. /Telegrafi/