Telegrafi

Këshilltari i Thaçit: Atë që dështoi ta bëjë Daçiq e bëri Konjufca

Nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës i kanë dalë në krah ambasadores Vlora Çitaku, pas kërkesës së Ministrit të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për tërheqjen e saj nga posti i ambasadores në Uashington.

Këshilltari politik i presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, përmes një reagimi në profilin e tij në Facebook, ka thënë se atë që dështoi ta bëjë për shumë vite ministri serb, Ivica Daçiq, po bënë sot Glauk Konjufca.

“Atë që dështoi ta bëjë ministri serb, Ivica Daçiq, tash e shumë vite në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e bëri sot ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një tentimi për të larguar ambasadoren më të mirë që ka Republika jonë”, ka shkruar Beharmi.

Ai ka thënë se “Ambasadorja Vlora Çitaku për një kohë të gjatë ka fituar çdo betejë kundër ministrit serb, Daçic, i cili, më shumë se kushdo tjetër në botë, kërkon zëvendësimin e saj”.

Postimi i plotë i Behramit:

“Atë që dështoi ta bëjë ministri serb, Ivica Daçiq, tash e shumë vite në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e bëri sot ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një tentimi për të larguar ambasadoren më të mirë që ka Republika jonë.

Ambasadorja Vlora Çitaku për një kohë të gjatë ka fituar çdo betejë kundër ministrit serb, Daçic, i cili, më shumë se kushdo tjetër në botë, kërkon zëvendësimin e saj.

Kërkesë e njëjtë skandaloze është edhe ajo për ambasadorin Ylber Hysa, ndër njohësit më të mirë të rajonit dhe kontribuues në shumë procese shtetformuese në Kosovë. Të tilla janë edhe kërkesat për tërheqjen e ambasadorëve të tjerë”, ka shkruar Behrami.

Ndryshe, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka propozuar kthimin e shtatë ambasadorëve të Kosovës nga shërbimi diplomatik në botë, saktësisht ambasadores Vlora Çitaku, ambasadorit Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu.

Ndërsa, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka thënë se do ta respektojë kërkesën e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka kërkuar që ajo të largohet nga detyra e ambasadores.

Çitaku ka shkruar se ajo është emëruar ambasadore përmes çelësit politik, duke shtuar më tej se  nuk do të lejoj që të bëhet mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës. /Telegrafi/