Telegrafi

Këshilltari i presidentit italian për takimin me Lajçakun në Bruksel

Pas ngjarjeve të ditës së diel në veri, këshilltari diplomatik i presidentit Italian, Francesco Talo ka thënë se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është e vetmja rrugë përpara për Serbinë dhe Kosovën për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të ecur në rrugën e tyre drejt BE-së.

Talo ka thënë se qëndron prapa emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas tij, në takimin e fundit ka pasur diskutime të mira në Bruksel me kolegët tjerë nga Franca, Gjermania dhe SHBA.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Serbinë dhe Kosovën për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të ecur në rrugën e tyre drejt BE-së. Ne qëndrojmë pas emisarit të BE-së Lajçak. Kam pasur diskutime të shkëlqyera në Bruksel me të dhe kolegë nga Franca, Gjermania dhe SHBA”, ka shkruar ai në platformën “X”.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

Sipas informacioneve zyrtare, tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar tetë persona. /Telegraf/