Telegrafi

Këshilltari i Presidentes tregon arsyet pse u vendos që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 9 shkurt

Këshilltari i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, ka sqaruar arsyet pse Presidentja vendosi të dekretojë 9 shkurtin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Kupina theksoi se Presidentja Osmani ka marrë këtë vendim pas një shqyrtimi të kujdesshëm të të gjitha rrethanave, duke përfshirë konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe diskutimet me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Presidentja Osmani, duke ndjekur procedurat ligjore, konsultoi partitë politike të cilat ofruan propozime për datën e zgjedhjeve, që varionin nga 26 janari deri më 16 shkurt 2025.

“Ashtu siç e parasheh ligji, Presidentja ka mbajtur konsultime me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe ka marrë propozime të ndryshme, që variojnë nga 26 janari e 2 shkurti deri te 9 e 16 shkurti 2025. Lidhur me datën e zgjedhjeve, Presidentja ka pasur diskutime edhe me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka paraqitur disa aspekte teknike dhe logjistike, të cilat sipas KQZ-së, do të duhej të shqyrtoheshin para nënshkrimit të këtij dekreti”, shkroi Kupina.

Pas analizës së të gjitha qëndrimeve, 9 shkurti u vlerësua si data më e përshtatshme, duke marrë parasysh edhe përfundimin e festave kalendarike dhe aspekte të tjera teknike dhe logjistike të paraqitura nga KQZ.

Lexo po ashtu Lladrovci kërkon nga Qeveria ta shpërndajë Kuvendin e komunës së Drenasit

Gjithashtu, Kupina bëri të ditur se Presidentja ka ftuar Bashkimin Evropian të dërgojë një mision për vlerësim preliminar të procesit zgjedhor, dhe më pas, do të propozojë që BE-ja të monitorojë të gjithë periudhën e fushatës, përfshirë dhe ditën e zgjedhjeve.

“Për më tepër, Presidentja Osmani tashmë ka ftuar BE-në që të dërgojë një mision për vlerësim preliminar, ndërkaq sipas praktikave, do t’i drejtohet sërish BE-së sa i përket misionit vëzhgues, ku do të propozohet që të monitorohet edhe periudha e fushatës, e jo vetëm dita e zgjedhjeve. Duke pasur parasysh që edhe prezenca e ekipeve monitoruese mund të afektohet nga periudha e festave, edhe kjo u mor parasysh në përcaktimin e datës së zgjedhjeve”.

Presidentja Osmani do të insistojë që monitorimi të përfshijë edhe aspektin e barazisë gjinore, duke mbuluar debatet, pjesëmarrjen, buxhetimin, dhe fenomenin e dhunës virtuale.

Për më tepër, Presidentja ka theksuar nevojën për përgatitjet e duhura për votimin e mërgatës, në përputhje me ligjin e ri, dhe ka bërë thirrje që të gjitha palët e përfshira të angazhohen me përkushtim për të ruajtur standardet më të larta demokratike dhe etike në këtë proces zgjedhor.

Në përfundim, Presidentja Osmani pritet që së shpejti të ftojë partitë politike për të nënshkruar një listë zotimesh të përbashkëta, për të garantuar përkushtimin ndaj mbajtjes së standardeve më të larta në zgjedhjet e ardhshme./Telegrafi/