Site icon Telegrafi

Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Sullivan: SHBA mbështet dialogun Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja

Shtëpia e Bardhë njoftoi sot për takimin e Këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në njoftim thuhet se Sullivan falënderoi kryeministrin për gatishmërinë e Kosovës për të pritur të evakuuarit afganë.

“Ata shkëmbyen mendime mbi agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, duke përfshirë ofrimin e ndihmës humanitare nga Kosova për popullin e Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu referuar njoftimin të Shtëpisë së Bardhë, Sullivan dhe Kurti diskutuan gjithashtu për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftim më tej bëhet e ditur se Sullivan shprehu mbështetjen e SHBA-së për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet kyçe të pazgjidhura.

Sullivan po ashtu mirëpriti planet e Kosovës për të kaluar nga varësia nga thëngjilli për prodhimin e energjisë elektrike dhe për të siguruar furnizim të qëndrueshëm.

Edhe Zyra për media e Kryeministrisë ka njoftuar për takimin Kurti-Sullivan.

Lexo po ashtu Kurti në takimin me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së thekson përpjekjet destabilizuese të Rusisë në rajon

Kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës është e përgatitur për të thelluar partneritetin e bazuar mbi vlerat e përbashkëta me ShBA-në dhe është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në përfshirjen sa më të shpejtë në Programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit në NATO.

Gjatë takimit u diskutua për invazionin dhe agresionin në Ukrainë dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj në rajon.

U bisedua për rreshtimin e Republikës së Kosovës me ShBA-në dhe botën demokratike në dënimin e invazionit dhe agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. /Telegrafi/

Exit mobile version