Naim Murseli, këshilltar i kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i cili ka thënë se java e ardhshme do ta gjejë Kosovën me Qeveri të re.
Murseli ka thënë se askush nuk duhet të spekuloj me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e as me votën e Behgjet Pacollit, pasi që ai ende nuk ka vendosur nëse do ta votojë Qeverinë e re, transmeton Telegrafi.
“Arben Gashi nga LDK paska deklaruar se qeveria e re do të votohet javën e ardhshme. Askush të mos spekulon me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu të mos spekulohet me votën e z. Pacolli, kur ai ende nuk ka vendosur se a do të votojë qeverinë e re apo jo”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Në shkrimin e bërë, Murseli ka thënë se e sigurt është vetëm se Pacollli do ta respektojë mandatin e tij si deputet dhe që AKR nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së re.
“Është e rëndësishme të respektohet vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, dhe të mos provokohet situata nga askush”.
Ndryshe, sot shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se kanë diskutuar me mandatarin për kryeministër, Avdullah Hoti për programin qeverisës dhe planin e punës së Qeverisë Hoti.
Gashi para mediave u shpreh i bindur se java e ardhshme e gjen Kosovën me Qeveri të re./Telegrafi/