Site icon Telegrafi

Këshilltari i Kadri Veselit: Vetëvendosje edhe kur fiton sillet si humbëse

Avni Bytyçi, këshilltar i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ka akuzuar Albin Kurtin dhe Vetëvendosjes për vonesat që po i shkakton në formimin e institucioneve të reja duke u ankuar dhe duke ikur nga përgjegjësitë që ka para qytetarëve.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje edhe kur fiton sillet si humbëse.

“Në demokraci nuk ka diktat, as dhunë dhe presion në procesin zgjedhor. Albini në rolin e autokratit, që nuk pranon rezultat sa herë që humb dhe i bishtnon marrjes së përgjegjësisë edhe kur fiton. Bënë çmos që ta zvarrisë këtë proces. Pse? Siç duket nuk qenka e lehtë formimi i Qeverisë, as ndarja e pushtetit me “hajnat” e LDK-së, siç i quan Albin Kurti”, ka thënë Bytyçi përmes një reagimi në Facebook.

Reagimi i plotë i Avni Bytyçit:

“Vonesat në certifikimin e rezultatit zgjedhor të shkaktuar nga ankesat e panevojshme të LVV janë absurde, të panveojshme dhe të dëmshme për shtetin dhe shoqërinë e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje edhe kur fiton sillet si humbëse.

Në demokraci nuk ka diktat, as dhunë dhe presion në procesin zgjedhor. Albini në rolin e autokratit, që nuk pranon rezultat sa herë që humb dhe i bishtnon marrjes së përgjegjësisë edhe kur fiton. Bënë çmos që ta zvarrisë këtë proces.

Pse?

Siç duket nuk qenka e lehtë formimi i Qeverisë, as ndarja e pushtetit me “hajnat” e LDK-së, siç i quan Albin Kurti.

U bënë gati dy muaj nga përfundimi i zgjedhjeve, dhe ende po numërohet. LVV për një grusht vota nga Serbia e diaspora që kanë ardhur pothuajase një muaj me vonesë, po e dëmton procesin më të rëndësishëm demokratik, at të zgjedhjeve.

E mira e demokracisë është se ajo të mundëson t’i fitosh zgjedhjet, por të zhveshë ashtu siç je perballë përgjegjësisë institucionale”, ka shkruar Bytyçi. /Telegrafi/

Exit mobile version