Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ministrit në detyrë të Punëve Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka dhënë lajmin e madh për Koalicionin NISMA-AKR-PD, duke thënë se përfundimisht janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Në ditën kur do të përfundojë procesi i rinumërimit të votave për zgjedhjet e 6 tetorit, Zyberaj ja thënë se koalicioni pjesë e së cilit është AKR-ja, e ka kaluar pragun zgjedhor.
“Koalicioni ynë përfundimisht u konfirmua si pjesë e Kuvendit të Kosovës. Faleminderit më shumë se 42 mijë qytetarëve të Republikës”, ka shkruar Zyberaj, në një postim në Facebook.
Procesi i rinumërimit të 1,407 vendvotimeve nga zgjedhjet e 6 tetorit, sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pritet të përfundojë sot pasi kanë mbetur edhe 37 vendvotime për t’u rinumëruar.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit do të përfundojë sot.
Ndërkaq dje është njoftuar se më 12 nëntor, në KQZ kanë arritur edhe 392 pako me fletëvotime nga diaspora.
Për këto, Lëvizja Vetëvendosje është ankuar në PZAP, me pretendimin se edhe ato duhet të pranohen siç u pranuan edhe votat e mëparshme që erdhën me vonesë nga jashtë. Me vendim të Gjykatës Supreme, ato u pranuan dhe u numëruan.
PZAP-ja pritet që deri të hënën të vendos rreth këtyre votave para se të certifikohet rezultati final i zgjedhjeve që pritet të ndodhë gjatë javës së ardhshme. /Telegrafi/