Këshilltarët e BDI-së në Këshillin Komunal të Tetovës, sot kanë dalë me akuza në drejtim të kryetarit Bilall Kasami, në lidhje me bulevardin “Bllagoja Toska”.
Shpresa Qazimi këshilltare e BDI-së, tha se bulevardi “Bllagoja Toska” është lëshuar në përdorim pa pëlqim nga Sektori i Punëve të Brendshme dhe pa respektuar dokumentacionin dhe procedurat e parapara me ligj.
“Sipas rregullores së komunikacionit, çdo rrugë ku ndryshon regjimi i trafikut, duhet të inspektohet dhe të merret leje nga institucionet kompetente, që në këtë rast është SPB Tetovë, por një gjë të tillë nuk e ka bërë Komuna e Tetovës pasi që atyre nuk u intereson fare për sigurinë e qytetarëve dhe bulevardi u lëshua në përdorim pa respektuar procedurat. Si pasojë e kësaj, numri i aksidenteve në këtë udhëkryq të “B.Toskës” me rrugën “29 Nëntori” sa shkon e rritet. Qytetarët janë të rrezikuar çdo ditë, ndërsa Komuna e Tetovës nuk ndërmerr asgjë për të rregulluar komunikacionin, gjegjësisht të vendos semaforë ose rrethrrotullim”.
“Kjo dëshmon që kjo udhëheqësi është e gatshme të bëj çmos vetëm për të përfituar poenë politik, duke mos kursyer as sigurinë e qytetarëve. Edhe sa aksidente duhet të ndodhin që të ndërmerret diçka? A duhet dikush të humb jetën e më pas të zgjoheni nga gjumi?”, tha Qazimi.
Ajo tha se i bëjnë apel kryetarit të Komunës së Tetovës që fokusin ta kthejnë nga siguria e qytetarëve dhe të ndërmarrin masa urgjentisht për rregullimin e komunikacionit ashtu siç është e paraparë me rregullore të komunikacionit./Telegrafi/