Telegrafi

Këshilli i BE-së thirrje për de-eskalimin e situatës në veri, paralajmëron pasoja nëse nuk ndodhë

Këshilli i Bashkimit Evropian ka dënuar incidentet e fundit në komunat veriore të Kosovës, ndërsa ka kërkuar de-eskalim të menjëhershëm të situatës.

Këshilli ka kërkuar nga palët që të krijojnë kushte për zgjedhje të parakohshme në Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë e veriut, ndërsa ka paralajmëruar pasoja negative nëse nuk ndodhë kjo,  transmeton Telegrafi.

“Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe bën thirrje për një de-eskalim të menjëhershëm të situatës, bazuar në elementet kyçe të përshkruara tashmë nga Bashkimi Evropian më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushtet për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të ketë pasoja negative”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Tutje, Këshilli i Bashkimit Evropian thekson se është thelbësore që dialogu të vazhdojë.

“Është thelbësore që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja i udhëhequr nga Përfaqësuesja e Lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të vazhdojë. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, vijon njoftimi.

Tensione në veri ka pasur që nga data 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë kanë marrë detyrën e tyre. Serbët lokalë kanë kundërshtuar vendosjen e tyre në objektet komunale, ku kanë tentuar të hyjnë dhunshëm brenda tyre.

Nga protestat e dhunshme, janë lënduar ushtarë të KFOR-it, Policia e Kosovës dhe ekipet e mediave. Po ashtu janë dëmtuar vetura zyrtare dhe të mediave.

Policia ka arrestuar disa të dyshuar lidhur me sulmet, ndërsa KFOR dhe Policia vazhdon me praninë e tyre pranë objekteve të komunave. /Telegrafi/