Këshilli Prokurorial i Kosovës bashkë me Prokurorin e Shtetit kanë reaguar ndaj deklaratave të një dite më parë të deputetit të VV-së, Rexhep Selimi.
Sipas tyre kjo gjuhë është kërcënuese dhe tendencioze që ka qëllim vetëm njollosjen e sistemit të drejtësisë.
Përmes një komunikate dërguar mediave, Këshilli Prokurorial thotë se këto deklarata kanë për qëllim vetëm cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe sistemit prokurorial në përgjithësi.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit konsiderojnë se deklaratat e deputetit Rexhep Selimi, të dhëna në emisionin ‘Imazh’, në RTK, më datën 5 prill 2019 dhe gjuha e përdorur ndaj Kryeprokurorit të Shtetit, Kryesuesit të Këshillit Prokurorial dhe institucionit të Prokurorit të Shtetit, përbëjnë një gjuhë kërcënuese, të papranueshme dhe tejet tendencioze dhe kanë për qëllim cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe sistemit prokurorial në përgjithësi”, thuhet në komunikatën.
Sipas kësaj komunikate, deklaratat e tilla janë në kundërshtim me ndarjen e pushteteve dhe përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e Gjyqësorit dhe Prokurorit të shtetit.
“Me këtë rast ia kujtojmë deputetit Selimi, por edhe tërë opinionit publik se pushteti gjyqësor është pushtet i veçantë dhe se Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit janë institucione kushtetuese, unike, të pavarura dhe të paanshme, të ndërtuara mbi parimet kushtetuese dhe ligjore. Prandaj, deklaratat e tilla janë në kundërshtim me ndarjen e pushteteve dhe përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e Gjyqësorit, përkatësisht, Prokurorit të Shtetit. Në kuadër të këtyre parimeve, Kryeprokurori i Shtetit zgjidhet dhe i përgjigjet vetëm Këshillit Prokurorial të Kosovës, prandaj puna, angazhimi dhe mandati i tij varen vetëm nga detyrat dhe obligimet e përcaktuara, të cilat dalin nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit, e jo nga vullnetet politike, grupet e interesit dhe individët e caktuar, kushdo qofshin ata”, bën të ditur shkresa drejtuar mediave, përcjell Telegrafi.
Në përfundim të komunikatës i bëhet thirrje deputetit Selimi që të mos vazhdojë më në këtë mënyrë dhe se këto deklarata kanë synim vetëm të njollosin punën e sistemit të drejtësisë.
“Prokurori i Shtetit dhe sistemi prokurorial, të mbështetur fuqishëm nga partnerët ndërkombëtarë janë duke u angazhuar maksimalisht për avancimin e mekanizmave të brendshëm, të cilët do të ndikojnë në rritjen e efikasitetit për luftimin e veprave të ndryshme penale, forcimin e sundimit të ligjit dhe shtetit ligjor, duke ndikuar dukshëm në ngritjen e besimit publik në sistemin prokurorial.Andaj, në këtë kontekst, një deputet i Kuvendit të Kosovës duhet të jetë shembull i respektimit të organeve zbatuese të ligjit dhe të përmbahet nga deklarimet e tilla që janë kundërshtim me rendin dhe parimet kushtetuese e ligjore.
Për më tepër, institucioni i Prokurorit të Shtetit dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, shprehin keqardhje të madhe për joseriozitetin e deklaratave të tilla, të cilat bëhen qëllimisht pikërisht në kohën kur tërë mekanizmat prokurorialë janë vënë në veprime dhe angazhime konkrete në çështjet jetike për forcimin e zbatimit dhe sundimit të ligjit në Kosovë.
Pra, theksojmë fuqishëm edhe njëherë se sistemi prokurorial i Kosovës përbëhet nga institucione profesionale, të themeluara me Kushtetutë dhe ligje, të cilat janë të palëkundura në përmbushjen e misionit, vizionit dhe objektivave të tyre dhe janë të pandikuara nga çfarëdo pretendimi, përfshirë edhe pretendimin e fundit të pamatur, të pavërtetë dhe tendencioz të deputetit Selimi, i cili iu ka shërbyer çdoherë forcave që nuk kanë ndihmuar forcimin e sundimit të ligjit në vendin tonë. Në përfundim ia bëjmë me dije opinionit publik se tendencat e vazhdueshme që rrjedhin nga deklaratat e tilla politike dhe jopolitike kanë vetëm një emër: Përpjekje e pasuksesshme për njollosje dhe etiketim të vlerave që përfaqësojnë zbatimin dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, përfundon komunikata.