Site icon Telegrafi

Këshilli i Prindërve i thotë ‘jo’ shkollës të shtunave

Foto: Ilustrim

Këshilli i Prindërve të Kosovës sërish ka kundërshtuar zëvendësimin e orëve të humbura nga greva në arsim, të shtunave.

Ata i kanë thënë ‘jo’ vendimit të Ministrisë së Arsimit, pasi “fëmijët kanë të drejta”.

“JO – shkollës të shtunave! JO – mësimit me zor! Fëmijët kanë të drejta – obligohemi t’i mbrojmë!”, thuhet në postimin e tyre në llogarinë zyrtare në Facebook.

Edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), sot në një konferencë për media tha se zëvendësimi i orëve të humbura nuk do të bëhet këtë të shtunë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, theksoi se vendimi i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për zëvendësimin e orëve të humbura nga greva gjatë të shtunave, ka qenë i ngutshëm.

Ndërsa, më pas ka reaguar Ministria e Arsimit duke bërë thirrje që orët e humbura për shkak të grevës të kompensohen e për këtë arsye është bërë rishikimi i kalendarit të vitit shkollor 2022-2023.

Ndryshe, greva në tërë sektorin e arsimit ka filluar më 25 gusht dhe është pezulluar më 1 tetor. Kërkesa kryesore e tyre ishte shtesa nga 100 euro deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga. Greva u pezullua deri në janar të vitit të ardhshëm dhe kjo u bë pa marrëveshje me Qeverinë.

Një ditë më pas, ministrja Nagavci publikoi vendimin për ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor, sipas së cilit orët e humbura kompensohen të shtunave, duke filluar nga kjo javë. Megjithatë, me këtë vendim nuk u pajtuan as nga SBASHK-u, as prindërit e as komunat. Ata po refuzojnë që mësimi të zëvendësohet të shtunave, duke rekomanduar të gjenden zgjidhje tjera. /Telegrafi/

Exit mobile version