Këshilli Politik në Shqipëri ka dështuar sërish të gjejë gjuhën e përbashkët lidhur me kërkesën e opozitës jashtë parlamentare për t’ju drejtuar për opinion OSBE/ODIHR-it lidhur me propozimet e paraqitura nga socialistët për koalicionet dhe listat e kandidatëve.
Në mbledhjen e sotme përfaqësuesit e opozitës paraqitën edhe një shkresë zyrtare, ku i kërkonin Këshillit që t’ia niste zyrtarisht OSBE/ODIHR-it për t’u shprehur nëse propozimet e socialistëve ishin në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Por kjo letër nuk është marrë parasysh nga përfaqësuesit e mazhorancës në Këshill të cilët i kanë kërkuar opozitës që të paraqesë një draft konkret me propozime për ndryshime në Kodin Zgjedhor.
“Opozita erdhi me të njëjtën qasje politike, tashmë të transformuar në një letër, por harruan që ky këshill vepron në bazë të një standardit të arritur, i imponuar ky standard nga opozita. Kur kishim debate në çështje të tjera, për të cilat ODIHR kishte rënë dakord të jepte asistencë ishte opozita që vendosi standardin. Synohet kompromisi dhe kur nuk ka, mund të merret asistenca, por vetëm mbi drafte përkatëse. Çfarë i themi tani, hajdeni me propozime konkrete. Ky këshill është krijuar për të konsultuar me opozitën jashtëparlamentare. Kushtetuta ka ndryshuar, nuk mund të humbasim kohë. Ne sollëm propozimin tonë, nuk mund t’u pëlqejë, por propozimet duhet të vijnë me shkrim, jo me studio”.
Përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi bëri të ditur se shkresa që është paraqitur në Këshill është hartuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar.
“Ne kërkojmë ruajtjen e koalicioneve siç janë sot. PS do të ndryshojë rregullat kur loja ka filluar. E kemi përgatitur letrën në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar. Sot PS refuzoi që t’i drejtohemi OSBE/ODIHR dhe përfaqësuesi i mazhorancës bojkotoi seancën. Shpresojmë që PS-ja të reflektojë”.
Por pavarësisht këtij debate, përfaqësuesi i shumicës qeverisëse, i la opozitës edhe 8 ditë kohë për të reflektuar dhe për të reflektuar ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor.
Letra e opozitës përmban 5 pyetje kryesore ku kërkon përgjigje nëse mekanizmi aktual i Kodit për koalicionet dhe formula e shpërndarjes së mandateve është në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Gjithashtu ata kërkojnë të dinë nga OSBE/ODIHR nëse i lejon listat e hapura mekanizmi dhe formula aktuale dhe a mund të ndryshohen njëanshmërisht rregullat zgjedhore 6 muaj para zgjedhjeve./ Tv Klan