Site icon Telegrafi

Këshilli i Ministrave i BE-së miraton konkluzat për Kosovën, kërkohet themelimi i Asociacionit dhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit

Në konkluzionet e miratuara nga ministrat për çështje evropiane të vendeve të BE-së, për të cilat më vonë gjatë javës do të diskutohet në takimin e Këshillit Evropian, kërkohet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe përfshirja e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit në kuadrin e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Kjo nënkupton që në rastin e Kosovës do të përditësohet agjenda e Grupit të veçantë të Kosovës për normalizim, ndërsa në rastin e Serbisë detyrimet do përfshihen në negociatat e anëtarësimit mes Brukselit e Beogradit.

Nëpërmjet të konkluzave, Bashkimi Evropian kërkon nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen në dialog në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme.

Shprehet keqardhje për mungesën e zbatimit nga të dyja palët dhe ftohen si Prishtina ashtu edhe Beogradi që t’i respektojnë dhe zbatojnë të gjitha detyrimet.

“Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve, duke kuptuar se duhet të punohet më tej mbi këtë bazë”, thuhet në dokumentin e miratuar.

Hapësirë e veçantë në konkluza i kushtohet situatës së sigurisë në veri.

Lexo po ashtu Masat e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen “nëse do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave”

“Këshilli është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, duke përfshirë sigurinë. Disa veprime të njëanshme të Kosovës dhe Serbisë, si dhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri kanë rritur edhe më tej tensionet. Këshilli dënon ashpër aktet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave më 29 maj 2023”, thuhet mes tjerash në projekt përfundime, raporton VOA.

Poashtu në përfundime theksohet se zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë pa parakushte.

Po ashtu thuhet aty, serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucionet që i kanë braktisur dhe ky kthim duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia.

Në këtë rrafsh, Këshilli rithekson se nuk ka arsyetim për dhunën dhe dënon fuqishëm dhunën e 29 majit si dhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

“Këshilli rithekson se nuk ka arsyetim për dhunën dhe dënon fuqishëm sulmin e dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023”.

Nga Kosova dhe Serbia kërkohet që të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për de-përshkallëzimin, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë dhe të ndalojnë retorikën përçarëse.

“Këshilli pret që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton siguri dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët”, thuhet në dokument, në të cilin shprehet keqardhje që palët nuk i kanë zbatuar zotimet e marra në marrëveshjen e arritur në shkurt dhe në mars në Bruksel dhe në Ohër.

Këshilli rikujton sërish se dështimi në de-përshkallëzim do të ketë pasoja. Gjithashtu konfirmohet gatishmëria e Bashkimit Evropian të vendosë masa shtesë ndaj Serbisë dhe Kosovës, nëse kjo është e nevojshme.

Duke iu referuar masave që janë në fuqi ndaj Kosovës, në përmjet konkluzave pranohet se Kosova ka ndërmarrë hapa drejt përmbushjes së disa prej kërkesave, mirëpo paralajmërohet se masat do hiqen në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave ekzistuese.

Në projekt përfundime thuhet se blloku është i gatshëm t’i heqë masat ndëshkuese nëse “në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave” për shtensionim, duke vlerësuar disa nga hapat e hedhur nga qeveria e Kosovës e cila uli praninë e forcave policore në komunat veriore dhe miratoi bazën ligjore për organizimin e zgjedhjeve të reja.

“Këshilli kërkon nga Kosova dhe Serbia që në tërësi dhe pa vonesa t’i zbatojnë ato. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar projekt-statutin (e Asociacionit) të paraqitur nga lehtësuesi i BE-së, që nënkupton se puna e mëtejme duhet të bëhet në bazë të tij”, thuhet në tekstin e përfundimeve.

Këto konkluza të ministrave do konfirmohen edhe nga ana e shefave të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian të cilët do takohen me 14 dhe 15 dhjetor. /Telegrafi/

 

Exit mobile version