Site icon Telegrafi

Këshilli Kombëtar për Investime do të nisë punën këtë muaj

Takimi i parë i Këshillit Kombëtar për Investime, i cili u themelua ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, pritet të mbahet në fund të muajit korrik.

Ky këshill që do të menaxhojë procesin e financimit të projekteve infrastrukturore në vend, do të krijojë grupet punuese dhe do të nisë menjëherë punën qysh në takimin e tij konstituiv.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, njëherësh njëri nga bashkëkryesuesit e këtij këshilli.

Sipas Çollakut, ky organ ka për qëllim që të sigurojë sinergji në mes të burimeve të ndryshme të financimit, gjegjësisht buxhetit, huave dhe granteve.

“Në takimin e tij konstituiv, Këshilli pritet të diskutojë dhe të miratojë për financim projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore 10, që do të financohet nga Komisioni Evropian, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane për Investim”, ka thënë Çollaku.

Ai ka potencuar se BE-ja ka ndarë 1 miliard euro për financimin e investimeve infrastrukturore që do të dalin nga procesi i Berlinit.

Në mënyrë që të menaxhohen sa më mirë, ka shpjeguar se në kuadër të takimeve “Western Balkan 6”, vendet e Ballkanit Perëndimor ishin dakorduar për themelimin e Këshillit Kombëtar për Investime.

Në këtë drejtim, Ministria e Integrimit Evropian, në cilësinë e koordinatorit të donacioneve në Kosovë dhe Ministria e Financave, në cilësinë e koordinatorit të aktiviteteve të huamarrjes në Kosovë, patën përgatitur propozim vendimin për themelimin e Këshillit Kombëtarë për Investime, i cili u miratua të mërkurën nga Qeveria. /kp/

Exit mobile version