Site icon Telegrafi

Kesenfelds nga Monego: Vendimi për tërheqjen e licencës ishte i papritur, nuk kemi marr paralajmërim nga BQK

Themeluesi dhe pronari i institucionit financiar jo-bankar Monego, Aigars Kesenfelds në një intervistë për Telegrafin ka thënë se vendimi i tërheqjes së licencës së operimit nga Banka Qendrore e Kosovë ishte i papritur dhe se nuk është paralajmëruar lidhur me këtë.

Kesenfelds thotë se janë duke negociuar me BQK-në për ta rikthyer licencën.

Ai thotë se në aspektin ligjor do ta sfidojnë vendimin e BQK-së.

Investitori letonez, duke folur për investimet e Monegos në Kosovës, thotë se janë hapur mbi 30 degë me 250 punëtorë.

Kesenfelds në intervistë thotë se lajmi për lidhjen e tij me biznesmen rus është i pavërtetë dhe i sponsorizuar.

Po ashtu, ai në ka folur edhe për raportin diplomatik ndërmjet Kosovës dhe Letonisë dhe për rrezikun e largimit të investitorëve të huaj.

Telegrafi: Banka Qendrore e Kosovës u ka hequr licencën për operim, si e komentoni këtë vendim?

Aigars Kesenfelds: Po, ne kemi filluar të bëjmë hulumtime për t’u futur në tregun e Kosovës para tri viteve dhe kemi aplikuar për licencë në Kosovë diku rreth para dy viteve prej tani. Dhe kur e kemi marrë licencën kemi pasur një zhvillim të shpejtë dhe të mirë të biznesit.

Kemi qenë të aftë që në një periudhë të shkurtë kohore të hapim më shumë se 30 degë, kemi punësuar më shumë se 250 punëtorë dhe kemi pasur më shumë se 80 mijë konsumatorë.

Biznesi dhe tregu kanë performuar shumë mirë në Kosovë. E kemi parë se njerëzit kanë nevojë për shërbimin tonë, e duan shërbimin tonë dhe madje kanë qenë duke ua sugjeruar kompaninë tonë miqve dhe familjarëve.

Kështu që në aspektin e funksionimit, është një treg shumë i mirë për të bërë biznes. Pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur më 6 dhjetor, lajmin për tërheqjen e licencës e kam marrë vetëm përmes mediave.

Pra, nuk ka pasur paralajmërime apo gjëra të ngjashme. Në fakt, është hera e parë në jetë që po më ndodh kjo sepse këtë lloj biznesi e bëj në rreth 20 shtete përgjatë botës dhe kam punuar me shumë banka qendrore, rregullatorë në Evropë dhe jashtë saj dhe asnjëherë në jetën time nuk ka pasur situata të këtilla ku licenca të hiqet pa paralajmërim ose të lajmërohesh vetëm pas vendimit.

Nuk dua të spekuloj se përse ka ndodh kjo, sepse të jem i sinqertë nuk e di çfarë e ka shkaktuar këtë vendim të papritur dhe tronditës. Siç kam thënë, jemi futur në tregun e Kosovës me qëllimet që të ndërtojmë biznes afatgjatë dhe të qëndrueshëm.

Kemi punësuar shumë njerëz, kemi paguar shumë para për taksa. Por vërtet shpresoj se do të ketë një lloj kompromisi. Kemi pasur diskutime me BQK-në dhe ndoshta mund të pajtohemi dhe t’i zgjidhim keqkuptimet.

Telegrafi: Cilat hapa do t’i ndërmerrni tani – çfarë do të bëni?

Aigars Kesenfelds: Në aspektin ligjor, ne i kemi ndërmarrë hapat tonë që do të shkojmë në gjykatë me kërkesën tonë për ta sfiduar këtë vendim të Bankës Qendrore të Kosovës dhe me siguri se do të merr kohë.

Por, në aspektin njerëzor të gjërave apo në aspektin më praktik, ne vërtet shpresojmë se do të hapim një dialog me Bankën Qendrore të Kosovës dhe do ta gjejmë zgjidhjen në mënyrë që të vazhdojmë punën tonë.

Unë besoj se shanset për zgjidhjen e problemit duhet të janë të larta, sepse dy palët duan të bashkëpunojnë sepse ne jemi duke i ndjekur të gjitha ligjet dhe rregulloret në Kosovë dhe jemi duke i paguar të gjitha taksat, jemi duke i paguar punëtorët, 30 për qind më shumë sesa rroga mesatare në treg.

Jemi këtu për plane më afatgjate, ku duam të punësojmë më shumë njerëz, të hapim më shumë degë, të lansojmë më shumë produkte. Dhe nëse Kosovës i nevojiten investime të huaja, unë mendoj se jemi pala që mund të investojë dhe të sjell njohuritë nga shtetet tjera për t’i aplikuar këtu.

Telegrafi: Cila është përgjigja juaj ndaj kërkesave të klientëve dhe personelit që punojnë për Monego në Kosovë?

Aigars Kesenfelds: Fillimisht dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për ta falënderuar ekipin tonë të punëtorëve në Kosovë – i kemi mbi 250 punëtorë që janë tejet besnikë dhe ende janë në pritje për të parë se çfarë do të ndodh, sepse jeta e tyre dhe në një anë shtëpia e tyre varet deri në një nivel nga veprimet që do të dalin nga negociatat me BQK-në.

Për momentin ata janë në pritje duke parë se çfarë po ndodh dhe duke shpresuar se problemi do të zgjidhet.

Sa u përket konsumatorëve, në procesin e të bërit biznes në Kosovë dhe aftësisë për t’i tërhequr 80 mijë konsumatorë, unë mendoj se kjo flet për faktin se ky produkt nevojitet në Kosovë, njerëzit kanë nevojë për të dhe ata me vullnet po marrin kredi.

Prandaj ne shpresojmë se problemi do të zgjidhet dhe ata 80 mijë konsumatorë do të munden të qasen në financat e tyre sa më shpejtë që është e mundur.

Aigars Kesenfelds, themelues i institucionit financiar jo-bankar Monego

Telegrafi: Sipas disa raportimeve të mediave në Kosovë, ju keni qenë i lidhur me rusë që kanë pushtet dhe fuqi – çfarë thoni për këtë?

Aigars Kesenfelds: Po, kjo kampanjë e sponsorizuar linçuese ndaj meje ka filluar para më shumë se një viti.

Fillimisht është shumë interesante se lajmet kanë qenë të sponsorizuara, ndërkaq lajmet e vërteta janë falas, kjo është e qartë. Lajmet e vërteta janë falas dhe nuk kanë nevojë për ndonjë reklamë, gjë e cila e rritë dyshimin se cila ka qenë arsyeja prapa këtyre kampanjave.

E dyta është se prej inicimit të këtyre kampanjave para më shumë se një viti, unë kam marr hapa ligjorë për ta sfiduar këtë dhe e kemi fituar gjyqin që dëshmon se ato lajme kanë qenë të rrejshme.

Veç kësaj, mund t’ju them se momentalisht nuk kam ndonjë marrëveshje apo ndonjë partner biznesor që është rus dhe, siç thash më herët, këtë biznes jam duke e bërë në shumë vende të botës dhe jam i licensuar në shtete të ndryshme, në banka të ndryshme qendrore, duke përfshirë Kosovën, që në detaje i kanë shikuar të gjitha financat e mia personale, të gjitha financat e kompanive të mia dhe vërtet nuk ka ndonjë problem me këtë.

Nëse veç ka më shumë pyetje nga Banka Qendrore e Kosovës rreth kësaj, do të isha shumë i lumtur të jepja çfarëdo informacione që nevojitet për këtë çështje.

Normalisht nuk kam asgjë për të fshehur dhe asnjëherë nuk kam pasur. Në aspektin e licencës për Kosovë, unë kam ardhur në Kosovë në fund të vitit 2017 për t’u intervistuar nga Banka Qendrore e Kosovës, ku ka pasur pyetje të ndryshme dhe i kam jap përgjigjet e mia.

Normalisht se aty e kanë kuptuar se jam i duhur dhe i përshtatshëm për këtë licencë dhe prej atëherë nuk ka ndryshuar asgjë. Pra jam shumë i lumtur të jap informacione të përditësuara dhe siç thash, nuk kam asgjë për të fshehur dhe jam i përqendruar për të bërë biznes afatgjatë.

Telegrafi: Veç Kosovës, ju jeni duke operuar edhe në vende tjera të rajonit – a keni ndonjë problem në këto vende?

Aigars Kesenfelds: Jo nuk kemi. Siç thash edhe më herët, kjo ka qenë hera e parë dhe befasuese që ka ndodhur.

Në shtete tjera të regjionit nuk kemi këso probleme me rregullatorë dhe asnjëherë nuk kemi pasur.

Për shembull, në Shqipëri jemi zgjeruar më shumë se në Kosovë në aspektin e degëve, në aspektin e punëtorëve, ku i kemi më shumë se 60 degë atje.

Pra, për t’iu përgjigjur pyetjes tënde, jo nuk kemi ndonjë problem çfarëdo qoftë në regjion apo në shtete të Bashkimit Evropian, kështu që kjo ndodhi është një befasi për mua dhe nuk është e bazuar në ndonjë fakt dhe jam i gatshëm ta dëshmojë këtë.

Telegrafi: Sa i përket situatës së fundit me BQK-në, a mendoni se kjo do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy shteteve apo në perceptimin e planeve për investime të huaja në të ardhmen?

Aigars Kesenfelds: Sigurisht. Çdo shtet që dëshiron të tërheq investime të huaja duhet të ketë ambient të qëndrueshëm, rend dhe ligj.

Deri tani kam qenë i bindur se Kosova është një vend në të cilin mund të mbështetem për të qenë, le të themi partner afatgjatë, por ngjarjet e fundit sigurisht se kanë ngritur shumë pyetje për mua dhe kam shumë miq në Evropë që bëjnë biznes e të cilët më kanë pyetur se çfarë ka ndodhur dhe unë duhet t’iu them se nuk e di ende.

Dhe normalisht, nëse Kosova dëshiron të tërheq investime të huaja, atëherë duhet të ketë rend dhe ligj.

Në Kosovë keni një popullatë shumë të re e cila dëshiron të punojë, të ndërtojë gjëra të reja, të hap biznese dhe pa rend e ligj kjo nuk është e mundur në periudhë afatgjate.

Gjithashtu unë mendoj se ky rast definitivisht do të ndikojë në marrëdhëniet shtetërore mes dy vendeve, Kosovës dhe Letonisë.

Unë jam prej investuesve më të mëdhenj letonez në Kosovë dhe shpresoj se do ta zgjidhim këtë keqkuptim në gjykatë dhe të vazhdojmë punën, sepse unë gjithmonë operoj me mirëbesim.

Nëse situata nuk zgjidhet, normalisht se do t’i shqyrtoj të gjitha opsionet e mia ligjore për t’i mbrojtur investimet e mia.

Unë i kam njoftuar për këtë rast edhe Ministrinë e Jashtme të Letonisë dhe janë duke e monitoruar procesin.

Për një shtet të vogël si Letonia, ky është një incident i madh, sepse nuk ka shumë investues të vendit që operojnë në regjion.

Deri tani ka pasur shumë kompani tjera të cilat kanë shprehur interesim për të investuar në vendet si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, por kjo tani mund të ndryshojë nëse nuk zgjidhet problemi. /Telegrafi/

Exit mobile version