Site icon Telegrafi

“I kërkuam ndihmë se nuk po dilnim dot në breg, por ai nuk mundi…”, humbi jetën duke shpëtuar nga mbytja dy 15-vjeçarët, zbardhet dëshmia e vëllait të Anrit

Ditë më parë një ngjarje tragjike u shënua në Durrës, ku 18-vjeçari Anri Kashiku humbi jetën, pas përpjekjes për të shpëtuar nga mbytja vëllanë e tij më të vogël dhe një tjetër bashkëmoshatar të tij.

Vëllai i Anrit, ka dëshmuar në polici duke treguar se si ndodhi ngjarja e rëndë.

Ndër të tjera ai ka thënë se deti ishte i trazuar dhe dallgët nuk i linin që të ktheheshin, e për këtë kanë kërkuar ndihmën e Anrit.

Lexo po ashtu Rasti i mbytjes së Anri Kashikut, reagon policia: Ka pasur roje bregdetare, është futur në det bashkë me 18-vjeçarin për të shpëtuar dy fëmijët

“Shkuam në det me komshiun që e kam edhe shok dhe me vëllain tim më të madh. Atje kemi edhe shokë të tjerë që punojnë tek plazhi, kamerierë dhe te çadrat. Unë dhe shoku im u futëm për tu larë në det. Notin e dimë shumë mirë se shkojmë shpesh në plazh dhe kryesisht aty në atë zonë. Ecëm pak thellë sepse aty në breg ishte deti turbullt. Deti kishte shumë dallgë. Shkuam disa metra larg, por kur po ktheheshim, dallgët nuk po na lejonin të dilnim, na tërhiqnin në thellësi. Aty po thërrisnim, ndihmë-ndihmë po s’po na dëgjonte njeri pasi kishte shumë erë të fortë. Na pa shoku vëllait që punon te çadrat. Ne ishim në gjendje të rënduar pasi dallgët po na rrëmbenin dhe po pinim shume ujë pasi na zhysnin. Erdhi Igli (roja që ka fol sot) me vëllain me shpejtësi dhe mbas tyre edhe një pedalone. Na ngjitën lartë në barkë dhe pastaj na nxorën në breg”, u shpreh ai.

Lexo po ashtu Mbytja e të riut në det, vrojtuesi i plazhit tregon momentet e vështira

Sipas tij, në momentin që djemtë hipën në bark ishte duke u përmbytur dhe barka, por me vështirësi ia arritën të dalin në breg.

“Në momentin që hipëm në barkë, po përmbytej edhe barka dhe me vështirësi kemi dalë në breg nga çka mbaj mend. Ndërkohë vëllai nuk arriti të ngjitej në barkë. Më pas na dërguan në spital. Vonë e morëm vesh se ishte mbytur vëllai. Të gjithë dinim shumë mirë not se jemi banorë të zonës dhe e kemi afër detin. Nuk e di si ka mundësi që vëllai s’ka mundur të dalë në breg”, është shprehur ai. /Ballkanweb/Telegrafi/

Exit mobile version