Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes shefes së saj, Nataliya Apostolova ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të institucioneve.
Përmes një deklarate të lëshuar për media, thuhet se “ Ne besojmë se palët në fjalë do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar sfidat e mbetura”.
Deklarata e plotë:
Seanca konstitutive e Kuvendit është caktuar të mbahet më 26 dhjetor. Zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit i dhanë mundësinë popullit të Kosovës të ushtrojë të drejtën e vet demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet. Ky është thelbi i procesit demokratik.
Ne besojmë se palët në fjalë do të arrijnë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar sfidat e mbetura.
Kosova duhet që me urgjencë të vazhdojë punën në reforma për zhvillim ekonomik dhe shoqëror, si dhe sundim të ligjit, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë dhe dialogun me Beogradin të cilin e lehtëson BE-ja.
Nevojitet një formim i shpejtë i qeverisë për të çuar përpara këto procese, në interes të Kosovës dhe popullit të saj dhe në përputhje me Kushtetutën dhe dëshirën e shprehur të elektoratit. /Telegrafi/