Ish-komandanti i UÇK-së Sami Lushtaku, i cili ka vuajtur 4 vjet e 1 muaj burg padrejtësisht, është duke kërkuar nga shteti 1 milion e 400 mijë e 890 euro dëmshpërblim.
Gjykata Supreme në korrik të vitit 2017 Lushtakun e shpalli të pafajshëm nga të gjitha akuzat, duke e liruar nga paraburgimi i cili ka qenë efektiv nga 24 maji i 2013.
Ndërkaq, Lushtaku, përmes avokatit të tij Arianit Koci, po kërkon kompensim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Koci, vitin e kaluar kishte bërë kërkesë për kompensimin e dëmeve materiale dhe jomateriale, ka thënë se ende nuk ka marrë përgjigje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Kërkesa tregon se gjatë gjithë procesit gjyqësor penal të zhvilluar ndaj Sami Lushtakut, nga dita e arrestimit të tij e deri në ditën e lirimit të tij, janë mbajtur gjithsej 50 seanca gjyqësore.
Sipas ligjit personave të cilët qëndrojnë në paraburgim dhe në fund lirohen nga Gjykata, u takon kompensimi.
“Si person i dënuar pa arsye dhe në emër të dënimit material dhe jomaterial të shkaktuar si rezultat i dhimbjes e vuajtjes shpirtërore të intensitetit të lartë, cenimit të së drejtës në reputacion dhe të drejtës së personalitetit, shpenzimeve lidhur me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, shpenzimeve për vizita familjare, dërgimin e pakove dhe transportin për anëtarët e familjes si dhe detyrimeve financiare ndaj avokatit për të gjitha veprimet e ndërmarra në procedurë penale të zhvilluar ndaj tij nga e cila përfundimisht është liruar nga akuza dhe shpallur i pafajshëm, Sami Lushtaku kërkon nga komisioni i lartpërmendur i Këshillit Gjyqësor i Kosovës, kompensimin në shumën e përgjithshme prej 1 milion e 446 mijë e 890 euro”, thuhet në kërkesën për kompensimin./Telegrafi/