Site icon Telegrafi

I kërkoi përgjegjësi për sulmet ndaj ushtarëve të NATO-s në Kosovë, çka i tha Vuçiqi ndihmës Sekretarit Ruge?

Boris Ruge, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Çështjet Politike dhe Politikën e Sigurisë, ka zhvilluar një turne në Ballkanin Perëndimor, ku përfshiu edhe një vizitë në Kosovë, përveç Bosnjës dhe Serbisë.

Gjatë një interviste për N1 në Bosnje dhe Hercegovinë, Ruge konfirmoi angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s në rajon, duke theksuar se “Ballkani mbetet në qendër të vëmendjes së NATO-s dhe nuk do të largohemi prej këtu.”

Ai sqaroi se qëllimi i vizitës së tij ishte të takohej me liderët politikë në Prishtinë, Sarajevë dhe Beograd, për të vlerësuar situatën politike dhe për të riafirmuar praninë dhe angazhimin e NATO-s në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Serbi.

Në veçanti, Ruge nënvizoi rolin e NATO-s në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe përmendi mesazhin që i përcolli presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Dhuna në Kosovë në maj dhe shtator të vitit të kaluar ishte një temë kryesore e diskutimeve tona. Kërkojmë përgjegjësi të plotë për sulmet ndaj ushtarëve tanë, veçanërisht për ngjarjet në Banjskë,” deklaroi ai, duke shtuar se kjo çështje është e një rëndësie të madhe për NATO-n dhe do të ndiqet deri në fund.

Ruge, i pyetur për reagimin e Vuçiqit lidhur me sulmet ndaj ushtarëve të NATO-s, tha se presidenti serb u shpreh se procesi gjyqësor në Serbi do të vazhdojë në mënyrë të qëndrueshme.

Ai gjithashtu theksoi se mendimet e tij dhe të Vuçiqit nuk janë krejtësisht të ndryshme kur bëhet fjalë për Kosovën.

“Ne mund të mos jemi plotësisht të një mendimi, por është e qartë se NATO do të vazhdojë të jetë e pranishme në Kosovë, me rreth 5 mijë ushtarë në terren, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe për të punuar me partnerët lokalë dhe ndërkombëtarë”, tha tutje.

Ruge foli edhe për marrëdhëniet e NATO-s me Serbinë, duke theksuar partneritetin e gjatë dhe duke nënvizuar dëshirën që Serbia të luajë një rol konstruktiv edhe në Bosnje.

“NATO është një pjesë e rëndësishme e këtij rajoni, me praninë tonë në Bosnje dhe Kosovë, dhe marrëdhënie të forta me Serbinë. Ne po ndjekim nga afër zhvillimet dhe jemi të përkushtuar për të punuar me partnerët tanë për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan,” përfundoi Ruge.

Ndërsa për Bosnjën, Ruge bëri të qartë se NATO është e përkushtuar për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, duke deklaruar se “Aleanca dhe aleatët e saj nuk do të tolerojnë asnjë përpjekje për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës.”

Exit mobile version